Kombëtarja e Kosovës në futboll për të verbër, e cila për herë të parë do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni i Dytë, e ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para udhëtimit drejt Krakovit të Polonisë, ku do të mbahet kjo garë nga data 29 qershor deri më 7 korrik.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, iu ka uruar suksese.
“Ne nuk jemi në këtë jetë për të qenë të përsosur, jemi këtu për të qenë të vërtetë!
Para nisjes për në Krakov të Polonisë, pata kënaqësinë të pres Kombëtaren e Futbollit për të Verbër, e cila do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian.
I urova shumë suksese në këtë garë të rëndësishme dhe i rikujtova se ata janë një shembull frymëzimi për shoqërinë tonë, me kurajën, vullnetin dhe përkushtimin e tyre të palodhshëm.
FFK është shtëpia e të gjithëve!
Jemi të përkushtuar ndaj gjithëpërfshirjes dhe punojmë çdo ditë që çdo kategori të përjetojë magjinë e futbollit.
Suksese Kosovë!”, ka shkruar Ademi.