Ndeshja e tij në 1/8 finale e Botërorit për Klube do të jetë e fundit që do të luhet për këtë raund, dhe ai do ta dijë tashmë nëse Real Madridi ka arritur ose jo ta eliminojë Juventusin. Pra, “Los Blancos” pritet të jenë rivali i tij i mundshëm në një çerekfinale hipotetike. Një motivim shtesë që po gjejnë Monterrey dhe Sergio Ramos në këtë aventurë botërore dhe që po u shërben shumë, si skuadrës, ashtu edhe atij që ka qenë kapiten i madrilenëve.
Nëse andaluziani tashmë rrezaton lumturi për demonstrimin e forcës që po bën në këtë garë në SHBA, vetë prania e ish-skuadrës së tij në horizont është shtysë e veçantë për të dhe shokët e skuadrës.
Qëllimi ishte arritja në 1/8 finale, por nuk ndalet këtu ambicia e Ramos, Canales, Oliver Torres, Ocampos dhe të tjerëve. Ata duan një takim me historinë, kush më mirë se përballja me Real Madridin ua garanton këtë… Sidoqoftë, më parë i pret sfida që përfaqëson Borussia Dortmundi, një ekip që po has vështirësi dhe ka një lidhje të veçantë me qendërmbrojtësin spanjoll, sidomos në epokën e Klopp-it dhe Lewandowskit.
Dikur habiti “martesa” që formuan Monterrey dhe Ramos, por koha u ka dhënë të drejtë. Ata po jetojnë një “muaj mjalti” të përhershëm. Skuadra po përfiton nga ekspozimi që siguron mbrojtësi spanjoll, ndërsa ish-lojtari i Real Madridit po tregon para gjithë botës se vazhdon të jetë konkurrues dhe se karakteri i tij si lider mbetet i paprekur.
Ky Botëror Klubesh është një dhuratë, pas katër përvojave të tij në Kupën e Botës me kombëtaren spanjolle dhe 17 ndeshjeve të luajtura, që tani do të bëhen 5 Botërorë dhe të paktën 21 ndeshje, me shtesën e eksperiencës në SHBA.
Meksikanët rrezikuan fort, duke investuar me kartën e Botërorit për Klube, dhe pikërisht aty u shfaq një Ramos i uritur për të fituar, i cili nuk po zhgënjen. Sprova e radhës, ndaj Borussia Dortmundit, të martën. Të shpresojmë që të mos jetë e fundit për Sergio Ramos, të cilin do ta priste përballja me Real Madridin (sipas të gjitha gjasave) në çerekfinale.