Mbrojtësi i ri shqiptaro-italian Gerard Mirashi, pas një sezoni premtues me ekipin U-19 të Benevento Calcio, ka firmosur këtë javë një kontratë dyvjeçare, e cila do ta mbajë të lidhur me klubin e njohur kampan deri në fund të sezonit 2026-2027.
Kjo kontratë është një tregues i qartë i vlerësimit që klubi i jep këtij lojtari të ri, i cili ka spikatur gjatë pjesës së dytë të sezonit të fundit me paraqitje të qëndrueshme, të sigurta dhe plot potencial zhvillimi. Mirashi, një mbrojtës i gjatë dhe me fizik të ndërtuar për duelet ajrore, ka fituar gradualisht besimin e stafit teknik, veçanërisht nën drejtimin e trajnerit Antonio Floro Flores, ish-sulmues i njohur i Serie A, që këtë sezon mori drejtimin e ekipit U-19 pas përvojës me grupmoshat më të reja të klubit.
Gjatë ndeshjeve të fundit të kampionatit, Mirashi jo vetëm që ka qenë pjesë e formacionit titullar, por ka dhënë një kontribut të vlefshëm në mbrojtje, duke u dalluar për ndërhyrjet vendimtare, qetësinë në situata presioni, si dhe për aftësinë për t’u përfshirë në ndërtimin e aksioneve ofensive nga prapavija – një cilësi që e bën atë mbrojtës modern dhe të adaptueshëm në skemat taktike bashkëkohore.
Në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, i riu Mirashi u shpreh: “Jam thellësisht mirënjohës për këtë mundësi që më jepet nga klubi Benevento dhe për besimin që më ka dhënë trajneri Floro Flores. Do të vazhdoj të punoj fort për të përmbushur pritshmëritë dhe për të ecur përpara në rrugën time si futbollist profesionist.”
Prejardhja shqiptare dhe edukimi sportiv në sistemin italian e bëjnë Gerard Mirashin një profil interesant për të ardhmen, me potencial të dyfishtë për përfaqësim në nivel kombëtar.
Aktualisht, përfaqësimi dhe kujdesi për karrierën e tij është në duart e menaxherit Stefano Lombardi, përfaqësues i agjencisë së njohur PL Sport Agency, e cila ka në portofolin e saj emra të afirmuar në futbollin italian dhe ndërkombëtar.
Redaksia e “Shkodra Sport” i uron Gerard Mirashit suksese në rrugëtimin e tij të ri dhe pret me interes zhvillimet e mëtejshme të një talenti që premton shumë për të ardhmen.