Thanos Plevris, një ligjvënës i ekstremit të djathtë i njohur për komentet e tij rreth Auschwitz dhe vrasjes së migrantëve, është emëruar ministër i ri i migracionit, pasi Qeveria në Athinë njoftoi riorganizimin e kabinetit pas një vale dorëheqjesh për shkak të një mashtrimi masiv me fondet e bujqësisë së Bashkimit Evropian.
Ai pason Makis Voridis, zyrtarin më të shquar që dha dorëheqjen të premten pasi një prokuror evropian lidhi ministrat grekë me një mashtrim shumëmilionësh që përfshinte fondet e bujqësisë, raporton Politico.
Plevris, i cili më parë shërbeu si ministër i Shëndetësisë, dikur argumentoi në gjykatë se thirrja për rihapjen e Auschwitz nuk ishte nxitje për urrejtje, dhe më parë sugjeroi që migrantët duhet të qëllohen në kufirin me Turqinë.
Plevris, i cili iu bashkua koalicionit të udhëhequr nga partia Demokracia e Re nga një grup politik ultra-fetar dhe nacionalist, mbështetësit e të cilit shpesh kanë dënuar masat dhe vaksinat kundërCOVID, ishte përgjegjës për punën e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë pandemisë dhe krizës së refugjatëve.
Katër vjet më parë, Plevris u detyrua të kërkonte falje për deklaratat që bëri në gjykatë si avokat mbrojtës për babanë e tij, një mohues i Holokaustit.
"Nuk kam dashur kurrë të ofendoj popullin hebre dhe kërkoj falje nëse e kam bërë," tha Plevris.
Ai u përball menjëherë me kritika të mëtejshme për deklaratat në të cilat ai dukej se mbështeste një thirrje që rojet kufitare të qëllonin migrantët që përpiqeshin të kalonin kufirin me Turqinë.
Nuk ka roje, "nëse nuk ka të vdekur", tha ai në një paraqitje televizive në vitin 2013, e disponueshme në YouTube.
Në të njëjtën paraqitje televizive, ai argumentoi gjithashtu se të gjithë migrantëve duhet tu mohohet qasja në shërbimet themelore shëndetësore dhe arsimore, madje duke sugjeruar që atyre tu mohohet ushqimi derisa të largohen nga vendi.
Aktivistët e shoqërisë civile argumentuan se ishte krejtësisht e papërshtatshme të emërohej një ministër fjalë për fjalë përgjegjës për shëndetin dhe sigurinë e migrantëve në një post të tillë, transmeton KosovaPress.