E ardhmja e Lindon Selahit është pranë një kthese të rëndësishme. 26-vjeçari shqiptar, i cili aktualisht është lojtar i lirë, nuk do të transferohet në Belgjikë, pavarësisht disa spekulimeve të mëparshme në lidhje me interesimin e disa klubeve aty.
Burime pranë futbollistit konfirmojnë se ofertat më konkrete dhe të favorshme ekonomikisht i kanë ardhur nga Kroacia dhe Polonia, me këtë të fundit që ka dalë në avantazh.
Në orët e fundit, Selahi është kontaktuar nga dy klube me traditë në ligat respektive: Hajduk Split në Kroaci dhe Vidzev Lodz në Poloni. Megjithatë, interesi i fortë i klubit polak, i mbështetur nga një projekt sportiv ambicioz dhe një ofertë ekonomike shumë më të leverdishme, duket se po e bind mesfushorin të zgjedhë destinacionin polak.
Një nga faktorët kryesorë që po ndikon në zgjedhjen e Selahit është prania e trajnerit Zeljko Sopiç në stolin e Vidzev Lodz. Dyshja ka punuar më parë bashkë në Kroaci te Rijeka dhe marrëdhënia e krijuar gjatë asaj periudhe duket se ka lënë gjurmë pozitive te lojtari shqiptar. Besimi i ndërsjellë dhe filozofia e përbashkët sportive mes tyre janë elemente që e afrojnë gjithnjë e më shumë mesfushorin drejt firmës me skuadrën polake.
Kujtojmë që këtë sezon, Selahi u shpall kampion me Rijekën. Megjithatë, Selahi pritet që në fillim të javës së ardhshme të udhëtojë drejt Polonisë për të vizituar ambientet e klubit të Vidzev Lodz, për të diskutuar detajet e fundit të kontratës dhe për të marrë një vendim përfundimtar. Deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje të mbyllur, por palët janë shumë pranë akordit.
HAJDUKU- Në anën tjetër, Hajduk Split nuk është dorëzuar ende. Kroatët i kanë ofruar Selahit një kontratë 3-vjeçare me një pagë vjetore rreth 400 mijë euro, që konsiderohet solide për nivelin e kampionatit kroat.
Megjithatë, sipas burimeve të afërta me futbollistin, projekti sportiv dhe kushtet financiare të polakëve janë më të favorshme, duke e lënë ofertën e Hajdukut në vend të dytë, të paktën për momentin.
SHEHU- Në Poloni, tek ekipi i Vidzev Lodzit, Selahi do të bëhej partner në mesfushë me një tjetër shqiptar. Juljan Shehu, lojtari i Kombëtares shqiptare është pjesë e klubit polak, megjithëse ende nuk ka rinovuar kontratën që i mbaron më 30 qershor. Nuk dihet nëse Shehu do të rinovojë me Vidzevin, apo Lindon Selahi është një zëvendësues për të në mesfushë.