Eksperti i financave, Ergis Sefa, tha se Serbia kryeson në Ballkanin Perëndimor për sa i përket shpenzimeve për armatime.
Sipas tij, krahasuar me Kosovën, Serbia shpenzon aktualisht 9 herë më shumë, ndërsa tejkalon edhe Kroacinë – vend anëtar i NATO-s.
“Serbia harxhon për armatime më shumë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kroacinë, që është anëtare e NATO-s.
Vetëm në vitin e fundit, ka shpenzuar 1.7 miliardë euro, ndërsa në pesë vitet e fundit ka investuar sistematikisht mbi 1 miliard euro çdo vit, kryesisht për pajisje të reja ushtarake dhe për kapacitete në luftën hibride dhe atë kibernetike. Kroacia, megjithëse pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, shpenzon më pak se Serbia.
Shqipëria ka arritur kuotën minimale të kërkuar nga NATO, me 2.1% të PBB-së, por sërish harxhon tre herë më pak se Serbia. Ndërsa në raport me Kosovën, Serbia shpenzon 9 herë më shumë për armatime, duke mbajtur rekord edhe ndaj vendeve si Bullgaria apo Kroacia,” u shpreh eksperti.