Milani dhe Klub Bryzh, akti i dytë. Ashtu si ndodhi tre vite më parë me transferimin e De Ketelares, kuqezinjtë po përballen sërish me qëndresën e klubit belg, këtë herë për mesfushorin me origjinë shqiptare Ardon Jashari.
Pasi mbylli marrëveshjen për Samuele Riçin, i cili pritet të kryejë vizitat mjekësore në ditët në vijim, drejtori sportiv Igli Tare ka vënë si objektiv të radhës 22- vjeçarin e Bryzhit për të kompletuar mesfushën e re të Milanit.
Por, si në rastin e De Ketelares, edhe këtë herë Bryzhi ka vendosur një çmim të lartë për kartonin e lojtarit dhe nuk ka ndërmend të lëshojë pe. Edhe pse Jashari iu bashkua belgëve vetëm një vit më parë për 6 milionë euro, tani vlerësimi i tij ka kapur shifrën e 35 milionë eurove. Sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, Milani nuk është i gatshëm të shkojë përtej ofertës së fundit prej 30 milionë eurosh, duke përfshirë edhe bonuset.
Igli Tare po mbështetet shumë te dëshira e vetë Jasharit për të veshur fanellën kuqezi. Mesfushori zviceran është i qartë në qëndrimin e tij, dëshiron vetëm Milanin dhe nuk ka ndërmend të qëndrojë më gjatë në Belgjikë. Nga ana tjetër, drejtuesit e Bryzhit kërkojnë ta mbajnë Jasharin deri në gusht për të përballuar ndeshjet e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve. Milani, megjithatë, dëshiron ta mbyllë marrëveshjen më herët.
Tare është i vendosur që t’i dorëzojë trajnerit Masimiliano Alegri një mesfushë të kompletuar sa më shpejt, ndaj nuk ka hapësirë për kompromis rreth afateve të qëndrimit të Jasharit te Bryzhi. Tani gjithçka do të varet nga presioni që do të ushtrojnë Jashari dhe përfaqësuesit e tij për të bindur klubin belg të ulë pretendimet dhe të mbyllë njëherë e mirë marrëveshjen me kuqezinjtë. Pas Riçit, Milani synon të sjellë edhe një tjetër mesfushor të talentuar për të udhëhequr revolucionin e shumëpritur në mesin e fushës.