Real Madrid nuk do të aktivizojë klauzolën prej tetë milionë eurosh për rikthimin e Nico Paz, por mund ta rikthejë për nëntë milionë në vitin 202.
Real Madrid ka vendosur të mos e aktivizojë klauzolën prej tetë milionë eurosh për blerjen e Nico Paz, edhe pse afati për ta bërë këtë zgjat deri më 15 korrik. Gjithsesi, ata do të kenë ende mundësinë ta rikthejnë për nëntë milionë euro në vitin 2026.
Talenti i ri u shit te Como verën e kaluar për gjashtë milionë euro në një marrëveshje mjaft të ndërlikuar, e cila i dha Real Madridit disa opsione për ta rikthyer atë në ekipin bazë.
Kostoja e rikthimit ishte caktuar në tetë milionë euro për vitin 2025, nëntë milionë nëse aktivizohet në qershor 2026, dhe do të rritet në dhjetë milionë euro deri në verën e vitit 2027.
Afati për të ushtruar këto opsione është 30 qershori, megjithatë FCInterNews thekson se ky vit është ndryshe për shkak të Kupës së Botës për Klube dhe kohës shtesë që u është dhënë klubeve pjesëmarrëse në këtë turne.
Duke marrë parasysh këtë, Real Madrid teknikisht ka ende kohë deri më 15 korrik për të ushtruar opsionin për tetë milionë euro.
Megjithatë, sipas Sky Sport Italia, Fabrizio Romano dhe burimeve të tjera, si pjesë e një “marrëveshjeje xhentëlmenësh”, Real Madrid thjesht ka njoftuar Comon se nuk do ta rikthejë Nico Paz këtë vit.
Klubi madrilen ishte tunduar ta kthente 20-vjeçarin, por investimi i bërë për Francesco Mastantuono i bëri të vendosin se kjo ishte e mjaftueshme për momentin.
Nëse Como vendos ta shesë Nico Paz para se Real Madrid të ketë mundësinë të aktivizojë klauzolën e riblerjes, atëherë 50 për qind e tarifës së transferimit do t’i kalojë klubit spanjoll.