Pas goditjes së madhe me afrimin e Kevin De Bruyne, Napoli nuk ka ndërmend të ndalet në afatin kalimtar të kësaj verë.
Sipas “Fichajes”, klubi i Aurelio De Laurentiis po synon të sjellë në Serie A një tjetër yll me peshë të madhe ndërkombëtare: Thomas Muller.
Veterani gjerman, 36 vjeç, do të largohet nga Bayern Munich pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, duke i dhënë fund një aventure të jashtëzakonshme prej 17 vitesh në ekipin e parë dhe 25 në total me klubin bavarez.
Edhe pse largohet nga Bayern, Muller nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli dhe është i hapur për sfida të reja.
Në javët e fundit është përfolur shumë për një transferim të mundshëm të tij në MLS, por sipas burimeve të fundit, një kalim në Serie A mund të jetë po aq joshës për gjermanin.
Napoli shpreson ta bindë me projektin e vet ambicioz dhe me rolin që ai mund të luajë në fushë dhe në dhomat e zhveshjes.
Për “të kaltërit”, një nënshkrim si Müller do të ishte i çmuar: përvojë, liderizëm, fleksibilitet taktik dhe ende kapacitet për të shënuar. Ai mbetet fizikisht në formë, siç tregon edhe fakti që dëmtimi i tij i fundit daton në shtator 2023, ku humbi vetëm një ndeshje të Kupës së Gjermanisë për shkak të një problemi muskulor.
Aktualisht bëhet fjalë për spekulime, por gjithçka pritet të qartësohet sapo të përfundojë angazhimi i Mullerit në Kupën e Botës për Klube. Napoli është në pritje.