Pas eliminimit të papritur të Manchester City-t nga Al Hilal në fazën e 1/8-ave të Botërorit për Klube, trajneri Pep Guardiola është shfaqur i zhgënjyer, por edhe reflektues në deklaratat e tij në konferencën për shtyp.
“Është një mëkat”, me këto fjalë të mbushura me hidhërim nisi Guardiola fjalimin e tij pak minuta pas përfundimit të ndeshjes dramatike, e cila u mbyll 4-3 në favor të Al Hilal-it pas kohëve shtesë.
“Aktualisht, çdo ndeshje në këtë fazë është e vështirë. Ne u dhamë atyre hapësirë për kundërsulme, por edhe ne krijuam shumë. Në përgjithësi, mendoj se luajtëm mirë”, tha tekniku spanjoll.
Guardiola shtoi se skuadra e tij krijoi shumë raste, por portieri Bounou bëri pritje të jashtëzakonshme: “Ata u mbrojtën shumë thellë dhe në ndeshje të tilla duhet të jesh më cinik përpara portës.”
Pas tre fitoreve në fazën e grupeve, City ndalet në mënyrë të befasishme në këtë raund, ndërsa Al Hilal do të përballet me Fluminense-n, që eliminoi gjithashtu Inter-in.
Megjithë humbjen, Guardiola mbetet i kënaqur me performancën e skuadrës së tij: “Kam ndjesinë që skuadra po ecën mirë. Tani kthehemi në shtëpi për të pushuar, për të rifreskuar mendjen dhe për të qenë gati për sezonin tjetër.”