Ngjarje historike në qytetin e Kumanovës! Për herë të parë, në Sallën e Sporteve të qytetit do të zhvillohen ndeshje të nivelit më të lartë europian të futsallit, UEFA Futsal Champions League, me FC Forca si nikoqire të këtij eventi madhor.
Nga data 26 deri më 30 gusht 2025, qyteti i Kumanovës do të jetë qendër e vëmendjes së futsallit kontinental, ku kampionët e Maqedonisë së Veriut do të përballen me tri skuadra kampione nga shtete të ndryshme të Evropës, të cilat do të mësohen pas shortit zyrtar më 3 korrik, në selinë e UEFA-s në Nyon, Zvicër.
FC Forca e ka cilësuar këtë si një moment historik jo vetëm për klubin, por për gjithë sportin dhe komunitetin e qytetit, duke ftuar qytetarët dhe tifozët që të jenë pjesë aktive e këtij kapitulli të ri.
Kjo do të jetë hera e parë që një kompeticion kaq prestigjioz viziton Kumanovën, dhe pritet të sjellë atmosferë të jashtëzakonshme në arenën vendase.
Sportmania do të ndjekë nga afër zhvillimet, përfshirë shortin e së enjtes dhe përgatitjet e FC Forca në prag të sfidave europiane.