Parma po vazhdon kërkimet për të përforcuar repartin ofensiv në prag të sezonit të ri në Serinë A, dhe sipas raportimeve nga “Parma Gazette”, klubi duket se po has vështirësi për të finalizuar transferimin e Pio Espozitos.
Në këtë kontekst, drejtuesit e kanë kthyer vëmendjen drejt një profili premtues dhe më të arritshëm: Kristian Shpendit, sulmuesi i ri shqiptar që aktivizohet te Çezena.
22-vjeçari është një nga talentet më të spikatura të brezit të ri dhe ka lënë gjurmë në sezonin e fundit në Serinë B, ku ka kontribuar ndjeshëm në suksesin e Çezenes, duke shfaqur instinkt të fortë goli, lëvizshmëri dhe teknikë.
Vlera e tij në treg është rritur, dhe interesimi nga klube të rangut të lartë nuk ka munguar.
Parma e sheh Shpendin si një investim për të tashmen dhe të ardhmen, një lojtar që mund të përshtatet lehtësisht me stilin e lojës së ekipit dhe që mund të zhvillohet më tej nën drejtimin e stafit teknik.
Megjithëse bisedimet nuk janë ende në fazë të avancuar, interesimi i Parmës është konkret, dhe mbetet për t’u parë nëse Çezena do të jetë e gatshme të negociojë për kartonin e lojtarit.