Për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta, rreth 1 350 shkolla në Francë janë mbyllur plotësisht ose pjesërisht për një ditë. Agjencia franceze e motit “Meteo France” bëri të ditur se është shpallur alarm i kuq për të nxehtin në 16 provinca, përfshirë Parisin, ndërsa alarm portokalli është lëshuar për 68 provinca të tjera.
Temperaturat sot u sillën nga nga 20 deri në 41 gradë Celsius. Vetëm një ditë më parë, mësimi u pezullua në 750 shkolla për të njëjtën arsye, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, rritja e ndotjes së ozonit si pasojë e valës së të nxehtit ka shtyrë autoritetet lokale në Paris dhe rrethina të kufizojnë qarkullimin e automjeteve. Në një njoftim nga Departamenti i Policisë së Parisit thuhet se vetëm mjetet që ndotin më pak do të lejohen në trafik, ndërsa automjetet e tjera do të ndalohen. Përjashtim bëjnë mjetet e shërbimeve publike. Gjithashtu janë ulur kufijtë e shpejtësisë në zonat përkatëse.
Për shkak të temperaturave të larta, është pezulluar edhe puna në njërin prej reaktorëve të centralit bërthamor “Golfech” në Tarn-et-Garonne që prej 29 qershorit.