Hyri sot në fuqi mas e vendosur nga qeveria greke, e cila parashikon një taksë për pasagjerët e anijeve turistike që ankorohen në ishujt grekë.
Në veçanti, gjatë sezonit të lartë (nga 1 qershori deri më 30 shtator) taksa arrin në 20 euro për pasagjer për destinacionet e famshme të Mikonosit dhe Santorinit, në arkipelagun e Cikladeve dhe 5,0 euro për ishujt e tjerë grekë.
Sipas ligjit, kompanitë e kroçerave do të paguajnë taksën, e cila do të reflektohet në çmimet e biletave që paguajnë udhëtarët, shkruan ANSA.
”Të ardhurat nga masa do t’u ndahen bashkive të përfshira, Ministrisë së Marinës për ndërhyrjet në porte dhe Ministrisë së Turizmit për përmirësimin e ofertës turistike”, raporton gazeta greke ”Protothema”, sipas së cilës qeveria vlerëson të ardhura vjetore prej rreth 50 milionë eurosh për këtë taksë.
Masa u njoftua vitin e kaluar nga qeveria në një përpjekje për të rregulluar turizmin në ishuj si Santorini dhe Mikonos, ku numri i vizitorëve po e rëndon infrastrukturën.
Numri i vizitorëve të huaj në Greqi arriti në 40,7 milionë vitin e kaluar, duke shënuar një rritje prej 12,8% nga viti 2023, sipas të dhënave nga Banka e Greqisë.
Turizmi me kroçera gjithashtu pa një rritje të fortë, me të ardhura që u rritën me 22,4% në 1,11 miliardë euro.