KF Llapi i Podujevës vazhdon të zgjerojë rrjetin e tij të skautimit me një hap të ri në drejtim të gjetjes dhe përzgjedhjes së talenteve në rajon.
Nga tani, klubi ka emëruar Behar Abdullin si skaut zyrtar në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Behar Abduli është ish-portier që ka veshur fanellat e klubeve si KF Gostivari, KF Vllaznimi Pozheran dhe Plaçkovica.
Përveç karrierës si futbollist, Abduli ka qenë aktiv edhe në strukturat organizative të futbollit. Për 4 vite ka qenë bashkëpunëtor në Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut, fillimisht TLO dhe më pas si Team Manager.
Roli i tij i ri në KF Llapin fokusohet në vëzhgimin dhe identifikimin e lojtarëve me potencial në kampionatet e Maqedonisë së Veriut, me qëllim që talentet më të dalluara t’i bashkohen projektit ambicioz të klubit nga Podujeva.
Me këtë emërim, Llapi tregon qartë se po investon seriozisht në zgjerimin e rrjetit të zbulimit të talenteve dhe ndërtimin e një të ardhmeje të fortë futbollistike.