Valët e të nxehtit në Evropë vazhdojnë dhe po shtrihen drejt pjesës lindore – me temperatura që pritet të kapin mbi 30 gradë Celcius në Paris, Romë, Berlin, Vjenë, Pragë dhe Varshavë.
Organizata Botërore Meteorologjike, agjencia për motin dhe klimën e Kombeve të Bashkuara, deklaroi dje se do të duhet të mësohemi të jetojmë me normalitetin e ri të valëve ekstreme të të nxehtit, të cilat do të ndodhin më shpesh dhe do të jenë më intensive me kalimin e kohës, transmeton KosovaPress.
Sipas The Guardian, çështja se si t’i përgjigjemi kësaj po bëhet gjithnjë e më shumë një çështje politike, pasi pjesë të elektoratit evropian vazhdojnë të shprehin dyshime për koston e politikave për klimën.
Shefja e tranzicionit të gjelbër të BE-së, Teresa Ribera, i tha BBC se frika politike po pengon përpjekjet e Evropës për t’u përballur me efektet e krizës klimatike, edhe pse kontinenti po goditet nga një valë rekord të nxehti.
Ribera tha se, ndonëse efektet e emergjencës klimatike po bëhen gjithnjë e më të dukshme, ato ende nuk po përkthehen në veprime të duhura, pasi disa parti politike “vazhdojnë të këmbëngulin fuqishëm, se ndryshimi klimatik nuk ekziston”, ose thonë se marrja e vendimeve për t’u përshtatur me realitetet mjedisore është shumë e kushtueshme.