BE-ja propozon reduktim prej 90% të gazrave serrë deri më 2040

- Bota Sot

BE-ja propozon reduktim prej 90% të gazrave serrë deri më 2040

Komisioni Evropian propozoi që deri në vitin 2040, vendet e Bashkimit Evropian të zvogëlojnë ndotjen nga gazrat serrë për 90%, krahasuar me nivelin që kishin në vitin 1990.

BE-ja synon që të bëhet neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050 - që do të thotë se nuk do të lëshojë më shumë gazra serrë sesa mund të përthithen nga natyra ose me mjete teknike.

Aktualisht, vendet e BE-së duhet të zvogëlojnë ndotjen që shkakton ndryshime klimatike për 55% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelin që kishin në vitin 1990.

Që kur BE-ja miratoi ligjin për klimën në vitin 2021, kundërshtarët e veprimit klimatik dhe ambicieve mjedisore të bllokut kanë mbledhur forcë, duke argumentuar se masat e pengojnë përparimin ekonomik.

“Ne nuk po zgjedhim mes ekonomisë dhe agjendës së gjelbër, po i zgjedhim të dyja. Evropa është e përkushtuar për një tranzicion të drejtë, ambicioz dhe konkurrues drejt energjisë së gjelbër”, tha nënkryetarja e Komisionit, Teresa Ribera.

Projektligji i paraqitur të mërkurën duhet të negociohet nga vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian, përpara se objektivi i ri për klimën të hyjë në fuqi.

Me këto plane, shtetet anëtare do të kenë më shumë fleksibilitet për të arritur objektivat klimatike.

Deri tani, ato kanë mundur të llogarisin vetëm reduktimet e gazrave serrë në nivel kombëtar.

Nga viti 2036, propozimi lejon që kreditë e karbonit nga vendet joanëtare të BE-së, të llogariten deri në 3% të reduktimit të përgjithshëm prej 90%, krahasuar me nivelet e vitit 1990.

Qeveria gjermane e kërkoi një mekanizëm të tillë përpara prezantimit të objektivit.

Qëllimet e BE-së për klimën lidhen me Marrëveshjen e Parisit për Klimën, të miratuar para 10 vjetësh.

Ajo synon të mbajë ngrohjen globale nën 2 gradë Celsius./REL



Read it all at Bota Sot