Kryetrajneri i Llapit të Podujevës, Tahir Batatina, për faqen zyrtare të klubit, ka folur për përgatitjet për edicionin e ri 2025/26
"Jam shumë i kënaqur me rikthimin në punë dhe me energjinë që e pashë në ekip. Grupi është shumë i mirë dhe transferet e reja do na ndihmojnë jashtëzakonisht shumë në edicionin e ri.
Çdo fillim sjell freski dhe motiv të ri, por këtë herë është diçka më tepër sepse para vetës kemi përgjegjësi dhe synim të madh.
Po punojmë me përkushtim maksimal që të krijojmë një grup të fortë dhe të disiplinuar taktikisht", tha Batatina.
"Është shumë e rëndësishme që përgatitjet të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme, andaj kemi planifikuar një fazë intensive për të ngritur nivelin fizik, teknik dhe psikologjik të skuadrës", ka nënvizuar ai.
Synimet e Llapit janë trofetë.
"Objektivi ynë është të luftojmë për çdo trofe dhe të paraqitemi denjësisht në secilën ndeshje.
Tifozët tanë "Legjendat" por edhe qyteti i Podujevës meritojnë më të mirën dhe do mundohemi që bashkarisht të punojmë për suksesin", ka përfunduar Batatina.