Mesfusha e Interit shpërbëhet, një tjetër futbollist mund të largohet

- Bota Sot

Mesfusha e Interit shpërbëhet, një tjetër futbollist mund të largohet

Në një futboll gjithnjë e më të paparashikueshëm, emri i Davide Fratezit vazhdon të qarkullojë në orbitën e merkatos.

Nga Roma në Napoli, me një ndalesë pranë zërave që e lidhnin me Juventusin, e deri te sinjalet e fundit nga Spanja.

Sipas raportimeve të fundit nga Madridi, mesfushori i Interit është në radarët e Diego Simeones dhe Atletiko Madridit.

Një skenar që rikthen në qarkullim spekulimet për të ardhmen e Fratezit, pikërisht në një moment kur gjithçka dukej se ishte stabilizuar.

Largimi i Simone Inzagit dhe emërimi i Kristian Kivu në krye të stolit zikaltër ishte përshëndetur me entuziazëm nga vetë lojtari, që shprehu besim dhe dëshirë për të qenë pjesë e projektit të ri. Por, paqja zgjati pak…

Fratezi nuk u aktivizua në Botërorin e Klubeve, ndërsa rikthimi i tij i parakohshëm në Itali lidhet me një problem fizik që daton që nga ajo gjysmëfinale epike ndaj Barcelonës.

Ndeshja që përfundoi 4-3 i dhuroi emocione të rralla “San Siro”-s, por edhe një lodhje të madhe për mesfushorin italian, i cili u shfaq i rraskapitur pas fishkëllimës finale.

Në epokën e “Oaktree”, ku çdo operacion financiar peshohet me kujdes, Interi ka ndjekur një qëndrim të qartë, i dëgjon të gjitha ofertat, por pret që vetë lojtarët të shprehin pozicionin e tyre.

Kështu ndodhi me Inzagin, po ndodh tani me Çalhanoglunë dhe natyrisht nuk përjashtohet as Fratezi nga kjo logjikë.

Vlera e tij, vetëm pesë muaj më parë, llogaritej në 40 milionë euro.

Atletiko, sipas të gjitha gjasave, ka shfaqur interes, por ka refuzuar një propozim nga Interi për të përfshirë në marrëveshje sulmuesin e ri Xhuliano Simeone.

Nëse bisedimet do të vazhdojnë, ato do të bëhen vetëm mbi baza ekonomike.



Read it all at Bota Sot