Dy dekada e gjysmë trajner, Gazmend Haliti: Nuk mund të presim rezultate pa sistem, pa plan dhe pa mbështetje

- Bota Sot

Dy dekada e gjysmë trajner, Gazmend Haliti: Nuk mund të presim rezultate pa sistem, pa plan dhe pa mbështetje

Tash e 25 vite nuk i ndahet punës me kategoritë e reja.

Është fjala për trajnerin Gazmend Haliti.

Është i përkushtuar në nxjerrjen e talenteve që do të jenë bazë e fuqishme për klubet tona dhe për kombëtaren e Kosovës në futboll.

Përplot 25 vite apo dy dekada e gjysmë është i pandalshëm, sot drejtoj me sukses shkollën e futbollit “Kick” nga Prishtina.

Haliti flet për të gjitha nga pak por edhe tregon se çka e shqetëson më shumë në futbollin tonë.

“Bota sot”: Tash e dy dekada e gjysmë me zejen e trajnerit, sa ishte e vështirë kjo rrugë?

Gazmend Haliti: Ishte një rrugë e gjatë, e mbushur me shumë sfida, por edhe me shumë pasion. Fillimet ishin të vështira – mungesë e kushteve bazike, mjeteve, terreneve, por dashuria për futbollin dhe për fëmijët më ka dhënë forcë të vazhdoj. Me kalimin e kohës, kam mësuar shumë dhe kjo rrugë më ka formësuar si njeri dhe si profesionist.

“Bota sot”: A janë kushtet më të mira për punë në krahasim me vitet e para të pasluftës?

Gazmend Haliti: Po, padyshim. Nuk krahasohen fare. Sot kemi fusha, pajisje, trajnerë të licencuar, qasje në edukim dhe materiale moderne. Sigurisht, ende jemi larg standardeve evropiane, por progresi është i dukshëm.

“Bota sot”: A ka rritje të cilësisë?

Gazmend Haliti: Po, cilësia është rritur, veçanërisht te grupmoshat e reja. Fëmijët stërviten në mënyrë më të organizuar, kanë qasje në metodologji të reja dhe konkurenca është më e madhe. Megjithatë, nevojitet ende shumë punë në edukimin e trajnerëve dhe strukturimin e garave. 

“Bota sot”: Si iu shkon puna me shkollën e futbollit, ka emra që premtojnë?

Gazmend Haliti: Shkolla e futbollit “Kick In” po ecën shumë mirë dhe çdo vit po rritemi si në numër, ashtu edhe në cilësi. Kemi shumë fëmijë të talentuar që po zhvillohen me përkushtim dhe disiplinë. FC Kick In ka marrë pjesë në turne ndërkombëtarë në Zvicër dhe Gjermani, ku kemi pasur shumë suksese. Jemi përballur me ekipe të njohura evropiane si Juventus, Stoke City, Deportivo La Coruna, Torino e të tjerë, dhe kemi arritur rezultate të shkëlqyera. Këto përvoja janë shumë të vlefshme për fëmijët tanë, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë edukativ. Ka disa emra që premtojnë shumë dhe që, me punë dhe mbështetje të vazhdueshme, mund të arrijnë nivele të larta në futboll.

“Bota sot”: Çka i duhet më shumë futbollit të Kosovës?

Gazmend Haliti: I duhet organizim më i mirë, më shumë investime në infrastrukturë, por mbi të gjitha: durim dhe vizion afatgjatë. Nuk mund të presim rezultate pa sistem, pa plan dhe pa mbështetje reale të talenteve që i kemi me bollëk.

“Bota sot”: A mendoni se nuk po jepet edhe aq shumë hapësirë talenteve të Kosovës në ekipet e seniorëve?

Gazmend Haliti: Është e vërtetë që ndonjëherë prioritet u jepet lojtarëve të jashtëm, por nuk duhet harruar se edhe presioni për rezultat është i madh. Megjithatë, besoj se duhet gjetur balanca – t’u jepet mundësia edhe lojtarëve vendorë, sepse përndryshe do t’i humbim talentet që i rrisim me shumë mund.

“Bota sot”: Çfarë ju shqetëson më shumë në futbollin tonë?

Gazmend Haliti: Më shqetëson fakti që shpesh herë mungon serioziteti institucional. Mungon strategjia kombëtare për zhvillimin e futbollit të fëmijëve dhe të rinjve.

Shpesh punojmë të ndarë, pa koordinim mes shkollave të futbollit, klubeve dhe federatës.
“Bota sot”: Po futeni në dekatën e tretë si trajner, a synoni të udhëhiqni një ekip të seniorëve në Superligë apo Ligën e Parë?
Gazmend Haliti: Jam i përkushtuar ndaj punës me fëmijët dhe të rinjtë, por nuk e përjashtoj mundësinë që një ditë të udhëheq një ekip të seniorëve. Nëse do të ishte një projekt serioz dhe me vizion, pse jo – eksperienca ime është e gatshme për sfida të reja.

“Bota sot”: Për fund, si e sheh kombëtaren e Kosovës, ka rritje apo stagnim?

Gazmend Haliti: Ka pasur rritje në fillim, sidomos me pranimin në UEFA dhe FIFA. Por tani jemi në një moment ku duhet të rishikojmë drejtimin. Ka shumë talent, por duhet stabilitet, përzgjedhje më e mirë dhe filozofi e qartë loje. Nëse bëhet kjo, besoj shumë në potencialin e Kosovës.



Read it all at Bota Sot