Një lajm shokues ka goditur botën e futbollit dhe veçanërisht Liverpoolin.
Klubi anglez ka konfirmuar me dhimbje të thellë ndarjen nga jeta të Diogo Jotës, sulmuesit të tyre dhe të kombëtares portugeze, si dhe të vëllait të tij Andre, pas një aksidenti tragjik automobilistik në Spanjë.
Në një deklaratë zyrtare, Liverpooli ka njoftuar se është informuar për ngjarjen fatale që përfshiu futbollistin 28-vjeçar dhe vëllain e tij. Klubi, i prekur thellësisht nga kjo humbje, ka bërë të ditur se nuk do të komentojë më tej, duke kërkuar respekt për privatësinë e familjes, miqve, shokëve të skuadrës dhe stafit teknik gjatë këtij momenti jashtëzakonisht të dhimbshëm.
“Kjo është një humbje e paimagjinueshme për të gjithë ne”, thuhet në njoftim. Liverpool ka theksuar gjithashtu se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi – duke përfshirë familjen e Jotës, miqtë dhe shokët e ekipit të tij.
Vdekja e Diogo Jotës – një nga lojtarët më të dashur dhe më të respektuar në skuadrën e “Reds” – është një goditje e rëndë për klubin dhe për gjithë botën e futbollit. I njohur për talentin dhe profesionalizmin e tij në fushë, Jota kishte fituar zemrat e tifozëve jo vetëm me performancën, por edhe me karakterin e tij të qetë e të përulur.