Bota e futbollit është shpesh vend gëzimi, triumfesh dhe emocioneve unike.
Por, herë pas here, ajo përballet me tragjedi që lënë gjurmë të thella në kujtesën e tifozëve dhe komunitetit sportiv. Një nga këto plagë të hapura janë aksidentet rrugore që kanë marrë jetën e disa prej figurave më të dashura të këtij sporti.
Një nga rastet më të dhimbshme është ai i Gaetano Scirea, legjendës së Juventusit dhe kombëtares italiane. Mbrojtësi i klasit të lartë humbi jetën në vitin 1989 gjatë një udhëtimi në Poloni, teksa kryente detyrën e vëzhguesit për skuadrën e tij. Vdekja e tij tronditi jo vetëm Italinë, por gjithë botën e futbollit.
Pas tij, një tjetër figurë e njohur si Giovanni Galli, edhe pse vetë i mbijetoi një aksidenti, humbi njerëz të afërt dhe i la pas pasoja të rënda emocionale, duke rikujtuar sa të brishtë mund të jenë jetët e yjeve të fushës.
Pas një karriere të jashtëzakonshme, José Antonio Reyes kishte nisur të imagjinonte jetën pas tërheqjes nga futbolli. Por, më 1 qershor 2019, në moshën 35-vjeçare, ai humbi jetën në një aksident tragjik rrugor. Po udhëtonte me shpejtësi të lartë pranë qytetit të tij të lindjes, Utrera, kur makina u përmbys dhe shpërtheu në flakë pas plasjes së një gome.
Tragjedia më e fundit që ka tronditur komunitetin sportiv është ajo e Diogo Jota dhe vëllait të tij André Silva, të cilët humbën jetën në një aksident rrugor. Lajmi për vdekjen e sulmuesit portugez 28-vjeçar ka sjellë dhimbje të thellë jo vetëm në Portugali, por në të gjithë Europën, ku Jota ishte një figurë e njohur dhe e dashur.