Ish-lojtari i Real Madridit me akuza ndaj klubit spanjoll

- Bota Sot

Ish-lojtari i Real Madridit me akuza ndaj klubit spanjoll

Për shumicën e futbollistëve, të luash për klubin më të madh në botë, Real Madridin, është një ëndërr që pak e arrijnë. 

Ikona si Cristiano Ronaldo, Gareth Bale dhe Luka Modric shkëlqyen në kryeqytetin spanjoll dhe ndriçuan ‘Santiago Bernabeu’ gjatë kohës së tyre te 15-herë kampionët e Europës. 

Ndërkohë, blerjet e reja të verës, Trent Alexander-Arnold dhe Dean Huijsen, shpresojnë që një ditë të konsiderohen legjenda nga tifozët e klubit. 

Por një ish-lojtar, pavarësisht se fitoi tetë trofe madhorë, përfshirë dy tituj në Ligën e Kampionëve dhe tre në La Liga, ka zbuluar më parë se jeta e tij u bë ‘e mjerueshme’ nga atëherë drejtori sportiv i Real Madridit, Predrag Mijatovic. 

Ivan Helguera regjistroi 346 paraqitje për Real Madridin midis viteve 1999 dhe 2007, si dhe përfaqësoi Romën, Espanyolin dhe Valencian përpara se të tërhiqej nga futbolli në vitin 2008. 

Në një podcast me ‘Offsiders’, Helguera, tashmë 50 vjeç, rrëfeu periudhën e tij te Reali dhe zbuloi se si iu hoq numri i fanellës dhe iu komunikua se nuk ishte më i nevojshëm, pavarësisht shërbimit të tij për klubin gjatë tetë sezoneve. 

“Ishte shumë e vështirë. Bordi drejtues, presidenti në veçanti Ramon Calderon, dhe një ish-lojtar që nuk e prisja prej tij, që ishte drejtori sportiv, Mijatovic”. 

“Ma hoqën numrin dhe më thanë se nuk do të luaja më. Ma bënë jetën të mjerueshme. Nuk e kuptoja pse. Më thanë që donin të më shisnin”. 

“Kisha një kontratë trevjeçare dhe nuk e kuptoja, sepse sapo kisha fituar kampionatin dhe kisha luajtur”. 

“Presidenti as nuk më përshëndeste, dhe unë isha ende duke luajtur. Mijatovic, që më dukej si fenomen, papritmas më trajtonte kështu. Por kjo është bota e futbollit”. 

“Capello më tha: ‘Këta më thonë të mos të fus as në stërvitje’. Vitin pasues, Mijatovic më tha se do të ma hiqnin sërish numrin dhe do të më bënin jetën të mjerueshme”, përfundoi Helguera.



Read it all at Bota Sot