Zërat për një klauzolë largimi prej 25 milionë eurosh të përfshirë në kontratën e Denzel Dumfris me Interin kanë bërë jehonë deri në Barcelonë. Dhe kjo nuk është aspak rastësi.
Pas prapaskenave të kësaj çështjeje qëndron emri i njohur Horge Mendez, agjenti i ri i futbollistit holandez dhe një figurë e afërt me klubin katalanas.
Për Barcelonën, e cila tashmë është aktive në pistën Niko Uilliams, një shumë e tillë është më se e përballueshme.
Po ashtu, edhe paga e Dumfris, që në nëntor të vitit të kaluar rinovoi me zikaltrit deri në 2028, nuk paraqet problem për financat e klubit.
Holandezi është transferuar në Milano në verën e vitit 2021 nga PSV dhe ka qenë prej atëherë një element i rëndësishëm për skuadrën.
Sipas “Sport”, profili i Dumfris pëlqehet shumë nga trajneri Hansi Flik, megjithatë aktualisht nuk konsiderohet si një përparësi. Plani i Barcelonës është të rikthehet në sulm në fillim të gushtit, kur klauzola prej 25 milionësh të ketë skaduar.
Por kjo nuk është pengesë për Horge Mendezin, i cili besohet se mund të bindë Interin të pranojë një ofertë të ngjashme me shumën e klauzolës, ose pak më të ulët.