Mijëra njerëz i japin lamtumirën e fundit Diogo Jotës në qytetin e tij të lindjes në Portugali

- Bota Sot

Mijëra njerëz i japin lamtumirën e fundit Diogo Jotës në qytetin e tij të lindjes në Portugali

Lot, këngë, lule dhe heshtje! Kështu u përshkua atmosfera në qytetin Gondomar të Portugalisë, ku qindra mijëra njerëz u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit futbollistit të Liverpool-it, Diogo Jota, i cili humbi jetën tragjikisht vetëm 11 ditë pas martesës së tij.

28-vjeçari, baba i tre fëmijëve, kishte fituar këtë vit Premier Leaguen me Liverpool-in dhe Nations League me Portugalinë, por jeta e tij u ndërpre papritur në një aksident tragjik gjatë kthimit në Angli për fazën përgatitore.

Jota po udhëtonte me makinëdrejt Liverpool-it, pasi ishte këshilluar të mos fluturonte për shkak të një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale. Fatkeqësisht, rruga e tij nuk përfundoi kurrë.

Liverpool e përshkroi vdekjen e tij si “një tragjedi që tejkalon futbollin”, ndërsa mijëra tifozë u mblodhën pranë stadiumit Anfield, për të vendosur lule, shalla dhe për të kënduar në kor këngët kushtuar atij.

Ish-kapiteni Jordan Henderson nuk i mbajti dot lotët teksa vendoste një kurorë me një mesazh prekës:
“Prehu në paqe, miku im, bashkë me vëllain tënd André. Do na mungosh të gjithëve.”

Mohamed Salah, sulmuesi i Liverpool-it, tha se e kishte të vështirë të mendonte kthimin në klub pas kësaj humbjeje tronditëse: “Jam pa fjalë. Deri dje, nuk mendoja se do kishte ndonjë gjë që do më trembte të kthehesha në Liverpool.”

Për nder të tij, në koncertin e ribashkimit të grupit Oasis në Cardiff, imazhi i Jotës u shfaq në fund të këngës “Live Forever”, duke marrë duartrokitje të gjata nga stadiumi i mbushur.

Edhe rivali lokal i Liverpool-it, klubi Everton, nuk qëndroi indiferent. Një delegacion – përfshirë sulmuesit me origjinë portugeze Beto dhe Youssef Chermiti – vendosi lule pranë Anfield.

Ish-këshilltari i qytetit të Liverpool-it, Peter Millea, tha për BBC: “Ishte një nga ata lojtarë që e fiton menjëherë zemrën e tifozëve, jo vetëm për golat, por për mënyrën si sillej brenda dhe jashtë fushës.”

Këngët për Jotën u dëgjuan edhe jashtë Anglisë. Në stadiumin Molineux të Wolves, ish-klubi i tij, tifozët lanë homazhe. Në Wimbledon, tenisti portugez Francisco Cabral veshi një shirit të zi, ndërsa në ndeshjen e Euro 2025 për femra mes Danimarkës dhe Suedisë u mbajt një minutë heshtje.

Varrimi i Jotës do të zhvillohet këtë të shtunë në orën 10:00 në Igreja Matriz de Gondomar.



Read it all at Bota Sot