Ndeshja mes Fluminense dhe Al Hilal nuk ishte aspak e lehtë për Rúben Neves dhe João Cancelo.
Vdekja në një aksident rrugor e Diogo Jotës dhe vëllait të tij André Silva i tronditi të dy, orët para sfidës ndaj skuadrës braziliane ishin tepër të vështira për ta.
Gjatë minutës së heshtjes në kujtim të dy vëllezërve, u pa qartë se si João Cancelo dhe Rúben Neves nuk arritën t’i përmbanin lotët dhe shpërthyen në të qara. Ishte veçanërisht e dhimbshme për mesfushorin, i cili kishte një marrëdhënie shumë të veçantë me Diogo Jotën.
“Nuk është e lehtë, sepse Rúben Neves ishte mik i ngushtë i Jotës. U trondit shumë dje në hotel. Familja e tij e telefonoi në mes të natës. Nuk arriti të flinte”, – deklaroi Bono, portieri i Al Hilal, pas ndeshjes ndaj Fluminense. “Edhe Cancelo nuk i mbajti dot lotët, është diçka që na preku të gjithëve”, – shtoi “gardiani” ndërkombëtar maroken.
Përveçse te kombëtarja portugeze, Rúben Neves dhe Diogo Jota ndanë të njëjtin dhomë zhveshjeje edhe te Wolves në Premier League, gjë që forcoi miqësinë e tyre të ngushtë. Lojtari i Al Hilal donte ta kujtonte Diogo Jotën edhe në rrjetet sociale me fjalë plot dashuri:
“Më shumë se një miqësi, ne jemi familje dhe kjo nuk do të ndalet vetëm sepse tani ti nënshkrove një kontratë pak më larg nesh. Kur të shkoj në kombëtare, do të jesh gjithmonë pranë meje në darkë, në autobus, në avion…”
Gjithashtu, Bono donte të përgëzonte punën e bërë në një ditë kaq të vështirë nga shokët e skuadrës: “E përgëzoj, sepse garoi dhe bëri punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme”.