Formula 1 ka hapur dje fundjavën për Çmimin e Madh të Britanisë, eventi i 12-të sezonal i botërorit 2025, një prej garave më të bukura të kampionatit.
Pas sesionit të parë që nisi nën shenjën e Ferrarit, me Luis Hamiltonin që fiksoi kohën më të mirë, në sesionin e dytë doli në pah skuadra dominuese e kampionatit, MekLaren, me Lando Norrisin. Piloti i shtëpisë ishte më i shpejti nga të gjithë, duke e ndalur kronometrin në kohën 1 minutë, 25 sekonda e 816 të mijtat.
Pas britanikut u klasifikua Sharl Lëklerk (+0.222), me Ferrarin që pati një ditë pozitive në Silverston, teksa Luis Hamilton (+0.301) plotësoi treshen e pilotëve më të shpejtë të provave të lira.
Performancën pozitive të “kokëkuqes” e konfirmoi edhe vetë Lëklerk në radio gjatë rikthimit në bokse në përfundim të provave. “Aseti i kualifikueseve është për t’u sistemuar, por për garën jemi në rregull”, ishte komenti i bërë nga piloti monegask.
Oskar Piastri (+0.470) i MekLarenit dhe Maks Vershtapen (+0.498) i Red Bullit kompletuan pesëshën e parë në provat e pasdites së djeshme në Britani. Fundjava britanike do të vijojë sot me sesionin e tretë të lirë në orën 12:30, ndërsa në orën 16:00 do të nisin provat kualifikuese. Çmimi i Madh i Britanisë do të startojë të dielën në orën 16:00.
VERSHTAPEN – E ardhmja e Maks Vershtapenit ishte një temë e nxehtë edhe ditën e djeshme në Britani, për të cilën foli vetë drejtori i Red Bullit, Kristian Horner, por pa i shuar zërat për një largim të mundshëm pilotit holandez.
“Ne të gjithë kemi qartësi të madhe mbi situatën, por ne jemi ata që duhet t’i japim atij një makinë konkurruese. Për momentin nuk jemi në situatën në të cilën do të donim të ishim.
Ekziston një marrëveshje midis ekipit dhe Maks Vershtapenit që do të mbetet konfidenciale. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, ai do të jetë me ne vitin e ardhshëm, por nuk mund të thuash që ai do të qëndrojë 100%. Ne jemi të përqendruar në performancë dhe që t’i japim Maksit një makinë konkurruese. Ne dhe ai po përpiqemi të kuptojmë se si të përmirësohemi”, u shpreh Horner.