Skandali i ngacmimeve seksuale trondit partinë e kryeministrit Pedro Sánchez

- Bota Sot

Skandali i ngacmimeve seksuale trondit partinë e kryeministrit Pedro Sánchez

Përpjekjet e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez për të rifilluar një etapë të re në Partinë Socialiste (PSOE), pas akuzave për korrupsion që rrezikuan stabilitetin e qeverisë së tij, kanë pësuar një goditje të re. Një zyrtar i lartë i partisë dha dorëheqjen pas akuzave për ngacmim seksual.

Kryeministri shpresonte që mbledhja e komitetit federal të PSOE-së, e zhvilluar fundjavën e kaluar, do të shërbente për të kthyer faqen dhe për të rigjallëruar besimin tek angazhimi i partisë për integritet dhe luftë ndaj korrupsionit – parime mbi të cilat erdhi në pushtet në vitin 2018. Por pritshmëritë u rrënuan të premten mbrëma, pasi gazeta elDiario publikoi dëshmi nga disa punonjëse të PSOE-së, të cilat akuzonin Francisco Salazar, përgjegjës për koordinimin institucional në pallatin Moncloa (zyra dhe rezidenca zyrtare e kryeministrit), për ngacmim seksual.

Salazar njoftoi të shtunën dorëheqjen nga posti i tij në qeveri, si dhe nga detyra e re në sekretariatin organizativ të PSOE-së. Në një prononcim për elDiario, ai tha se nuk kujtonte ndonjë sjellje të papërshtatshme. “Kam menduar gjatë për këtë dhe më duket e pabesueshme. Pyes veten nëse kam thënë diçka të papërshtatshme, por nuk arrij të gjej asnjë shembull konkret,” u shpreh ai.

Burime pranë Moncloas bënë të ditur se është hapur një hetim lidhur me rastin, por deri më tani nuk janë paraqitur ankesa zyrtare kundër Salazarit.

Të shtunën, kryeministri Sánchez kërkoi sërish ndjesë për, siç tha ai, “besimin e pavend” që u kishte dhënë personave të përfshirë në skandale. “Gabova që i besova njerëzve që nuk e meritonin. Por ne nuk do të ndalemi në përpjekjen për rigjenerim demokratik,” deklaroi ai.

Përballë rritjes së presionit për të thirrur zgjedhje të parakohshme, Sánchez deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. “Kapiteni nuk braktis anijen kur deti bëhet i trazuar. Ai qëndron për ta çuar në port,” tha ai.

Dorëheqja e Salazarit është goditja më e fundit ndaj autoritetit dhe gjykimit politik të kryeministrit.

Vetëm pak ditë më parë, një tjetër figurë kyçe e PSOE-së, Santos Cerdán sekretari organizativ dhe krahu i djathtë i Sánchez – u vendos në paraburgim, pas vendimit të një gjykatësi të Gjykatës së Lartë, i cili konstatoi “prova të forta” për përfshirjen e tij në marrje rryshfetesh nga kontratat publike të ndërtimit.

Hetimi nisi pas dorëzimit të materialeve nga Njësia kundër korrupsionit e Gardës Civile, që sugjeronin se Cerdán kishte diskutuar për përfitime të paligjshme me ish-ministrin e Transportit,José Luis Ábalos, dhe ndihmësin e këtij të fundit, Koldo García. Të tre janë nën hetim, por i kanë mohuar akuzat. Cerdán dha dorëheqjen nga posti partiak dhe mandati parlamentar, duke deklaruar se do të mbrojë pafajësinë e tij.

Ndërkohë, Sánchez po përballet edhe me hetime për çështje të lidhura me bashkëshorten dhe vëllain e tij, të cilët mohojnë çdo shkelje ligjore. Një ish-anëtar i PSOE-së është gjithashtu përfshirë në një hetim lidhur me një fushatë të mundshme shpifjesh ndaj njësisë hetimore të Gardës Civile.

Partia Popullore (PP), në opozitë, reagoi ashpër, duke thënë se zhvillimet e fundit dëshmojnë dështimin moral dhe politik të kryeministrit. “Sánchez nuk ka asnjë kredibilitet. Lufta e tij e supozuar kundër korrupsionit dhe seksizmit është vetëm për fasadë,” thanë burime nga PP. “Nëse nuk ka njerëz të ndershëm në PSOE, ose ai nuk di të zgjedhë bashkëpunëtorët.”

Zërat për zgjedhje të parakohshme janë shtuar edhe brenda vetë partisë socialiste. Presidenti i rajonit Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, deklaroi se ka ardhur koha që parlamenti dhe populli të shprehin vullnetin e tyre.

Sipas elDiario, García-Page i kërkoi Sánchez-it gjatë mbledhjes së së shtunës që të shqyrtojë mundësinë e një vote besimi në parlament. “Nuk e di nëse do ta fitojmë. Por nëse jo, atëherë mos e përjashtoni mundësinë e zgjedhjeve,” tha ai./



Read it all at Bota Sot