“Shaqa” sikur “Myta”

- Gazeta e Prizrenit

“Shaqa” sikur “Myta”

Dy kryetarët e fundit të Prizrenit, Mytaher Haskuka (LVV) dhe Shaqir Totaj (PDK), i karakterizojnë disa gjurmë të përbashkëta gjatë qeverisjes lokale.

Haskuka, me gradën doktor shkence dhe një karrierë akademike, u pa fillimisht si një shpresë për përmirësim. Ndërkaq Totaj, gjatë kandidimit për kryetar, ngjalli debat me prezantimin e vetes si menaxher “me diplomë nga ish-presidenti Obama”, një pretendim që nuk u sqarua kurrë nëse bëhej fjalë për seminar apo trajnim, duke ngritur dyshime nëse presidentët amerikanë nënshkruajnë diploma arsimore.

Sikurse edhe kryetarët e tjerë, qytetarët e Prizrenit parapëlqejnë t’i thërrasin shkurt: “Myta” e “Shaqa”.

Karakteristikat e Kryetarëve

Ndërsa Myta nuk është akuzuar për punësime familjare, Shaqa njihet për favorizimin e familjarëve në poste publike – duke përfshirë djalin, nusen e djalit etj. Kjo çështje është bërë objekt kritikash, sidomos nga LDK-ja, e cila organizoi një aksion simbolik para “Shtëpisë së Bardhë” (zyra e kryetarit), me moton “Totaj Family”.

Nga ana organizative, Haskuka ishte kryetari i parë që i dha rëndësi postit të shefit të kabinetit. Këtë model e vazhdoi edhe Totaj. Faktorizimi i kësaj pozite u perceptua nga shumë qytetarë dhe analistë si një shenjë dobësie të kryetarit, duke e bërë atë më shumë figurë simbolike sesa një udhëheqës me ndikim real. Ky pozicion ishte thuajse i panjohur në kohën e Eqrem Kryeziut dhe Ramadan Mujës, të cilët kishin një stil tjetër të udhëheqjes dhe mbajtën nga dy e tri mandate.

Prandaj, shumëkush në Prizren sot e konsideron Totajn kryetar “ vetëm sa për të treguar vica (barsoleta)”.

Vlerësime dhe Kritika

Ndërsa opozita e atëhershme AAK-PDK e përshkruante Mytën si “turist dhe kukull”, opozita e tanishme VV-LDK e cilëson Shaqën si “kryetar-kukull” dhe “referë”, duke ia kujtuar edhe incidentin fizik mes bashkëpunëtorëve te tij, drejtorit Çelë Lamaj dhe Nehat Elshanit si dëshmi të mungesës së kontrollit dhe autoritetit të kryetarit.

Në rrugën politike, shumë qytetarë “të heshtur” e shohin me skepticizëm autoritetin e të dy kryetarëve, duke zgjedhur ndëshkimin përmes votës. Myta ishte kryetari i parë i pasluftës që nuk arriti të fitojë një mandat të dytë. Jo vetëm ai, por shumëkush ishte i bindur për fitoren e tij, sidomos duke pasur përballë Shaqën, i cili kishte humbur në dy gara – për kryetar në 2017 dhe për deputet më pas, por ndodhi e kundërta.

Çudia ishte se, edhe pse në zgjedhjet qendrore të shkurtit 2021, VV e Haskukës fitoi bindshëm me një kryeministër politikisht të fuqishëm si Albin Kurti dhe shumicë parlamentare prej 51 %, në zgjedhjet lokale të nëntorit 2021, Haskuka humbi përballë Totajt, i cili fitoi me një diferencë prej rreth një mije votash në balotazh.  Kjo u vlerësua si një revolucion opozitar.

Përplasjet dhe Skandalet

Myta ka pasur “do gjynahe” të cilat ia servonin bashkëpunëtorë tendenciozë dhe përfitues. Të ngjashme ka edhe Shaqa, i cili e nisi mandatin me skandale dhe pazare për vota – të publikuara nga mediat – duke favorizuar familjarët e asamblistëve të partive tjera me poste.

Të dy kanë mbetur pa partnerë qeverisës: Myta e vazhdoi pa LDK-në, ndërsa Shaqa e humbi përkrahjen e AAK-së, e cila kishte ndihmuar shumë për ardhjen e tij në pushtet. Ai madje tentoi ta largonte edhe Zafir Berishën nga koalicioni, por pa sukses. Që nga ajo kohë, marrëdhëniet mes tyre janë thjesht zyrtare, dhe është e pamundur të imagjinohet që Zafa ta përkrahë në zgjedhjet e ardhshme – sidomos pas incidentit për kërcënim që rezultoi me gjobë nga gjykata për Zafën.

Shaqa, ashtu si Myta, është kritikuar për mospagesën e shujtave për mësuesit, ndërkohë që kthenin tepricat buxhetore në Prishtinë. Të dy janë përfshirë në skandale që lidhen me tenderë, karrige e shtylla ndriçimi të shtrenjta dhe afera në urbanizëm.

Në rastin e Shaqës, skandalet përfshijnë edhe incizime audio për ish-asambleistin Osman Hajdari, pastaj kurdisje në konkurset për arsim, tenderë të fryrë dhe së fundmi, arrestimin e zyrtares së lartë të urbanizmit, Shpresa Osmanollaj, e cila ndodhet në arrest shtëpiak me vendim gjykate.

Njësoj si Myta, edhe Totaj premtoi një ekzekutiv me 50% gra, por përfundoi me vetëm dy, prej të cilave njëra nuk është as nga partia e tij. Do kujtuar se vetëm një vit pas qëndrimit në post, dha dorëheqje drejtoresha për Mirëqenie Sociale, Vjollca Kabashi, e cila në arsyen e dorëheqjes, ndër tjera sqaroi se këtë akt e ka ndërmarrë pas një presioni, shantazhi e kërcënimi nga eproret e saj.

Pra kur ka kaq shumë karakteristika të përbashkëta, lind pyetja: A do të përsëritet rotacioni i pushtetit lokal këtë vjeshtë? Për këtë dhe të tjera, në shkrimin e nesërm – pjesa 2. / Gazeta e Prizrenit

Lexo edhe:

Shaqir Totaj përballë përçarjeve, skandaleve dhe sfidave zgjedhore në Prizren



Read it all at Gazeta e Prizrenit