Barcelona vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme, ndërsa ka pasiguri rreth të ardhmes së kapitenit të tyre, Marc-Andre ter Stegen, ku pavarësisht se portieri ka ende tre vjet kontratë, klubi po përgatitet ta largojë atë.
Ter Stegen është planifikuar të rikthehet në stërvitjen parasezonal të ekipit nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick, së bashku me pjesën tjetër të skuadrës. Portieri 33-vjeçar kishte arritur të bëhej portieri i parë i kombëtares gjermane, por një dëmtim në shtator e la jashtë për pjesën më të madhe të sezonit.
Gjatë mungesës së tij, portën e Barcelonës e mbajtën Inaki Pena dhe më pas Wojciech Szczesny, i cili po afron rinovimin e kontratës për dy sezone. Gjithashtu, Barcelona ka investuar 25 milionë euro për talentin e ri Joan García, duke e parë atë si të ardhmen.
Së fundmi, raportohet se gjiganti italian Inter ka hyrë në garë për Ter Stegen. Klubi italian po kërkon zëvendësues për Yann Sommer, i cili pritet të largohet drejt Galatasaray pas një sezoni të suksesshëm.
Sipas gazetës Il Corriere dello Sport, interesi për portierin gjerman po bëhet gjithnjë e më konkret. Barcelona do të mund ta transferojë Ter Stegen pa kosto, duke i hapur rrugë një marrëveshjeje të mundshme.
Për Ter Stegen, kalimi te Interi ofron një perspektivë interesante, me mundësinë për të luajtur sërish në Ligën e Kampionëve, çka do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e tij.
Situata mbetet dinamike dhe pritet që në ditët e ardhshme të ketë zhvillime të reja rreth së ardhmes së portierit gjerman.