Presidenca daneze e Bashkimit Evropian do ta ketë zgjerimin e familjes evropiane ndër prioritetet kryesore, me fokus në avancimin e negociatave të anëtarësimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për Ukrainën dhe Moldavinë.
Sipas zyrtarëve danezë, zgjerimi konsiderohet një imperativ gjeopolitik, andaj kjo presidencë synon të promovojë në mënyrë aktive një proces të bazuar në merita dhe të udhëhequr nga vlerat evropiane.
Krerët e institucioneve evropiane zhvilluan në fund të javës një vizitë në Danimarkë për të shënuar nisjen e presidencës, e cila ka filluar zyrtarisht më 1 korrik. Me këtë rast, zgjerimi u theksua si një nga prioritetet kryesore të Danimarkës, e cila do të udhëheqë me bllokun evropian deri më 31 dhjetor.
“Zgjerimi nuk është një proces burokratik. Është një investim strategjik në paqe, stabilitet dhe në të ardhmen tonë të përbashkët evropiane. Në fakt, është investimi më i mirë gjeopolitik që mund të bëjë Bashkimi Evropian. Dhe e di që mund të mbështetemi te presidenca daneze për të çuar përpara negociatat me Ukrainën, Moldavinë dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Antonio Costa, president i Këshillit Evropian.
Edhe pse në kontekstin e zgjerimit përmenden të gjitha shtetet e rajonit, gjasat janë të vogla që të ketë lëvizje konkrete sa i përket aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit.
Ambasadori danez në BE, Carsten Jensen, ka deklaruar së fundmi se vendi i tij ka ambicie për të avancuar procesin e zgjerimit, por ka theksuar se suksesi nuk varet vetëm nga presidenca. Sipas tij, përparimi është i mundur vetëm nëse ekziston pajtueshmëri nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Ai ka shtuar se është e mundur të ketë përparim për ato vende për të cilat nuk ka kundërshtime nga asnjë shtet anëtar.
Kosova ka aplikuar për marrjen e statusit të kandidatit në vitin 2022, por ky aplikim nuk është shqyrtuar ende, për shkak të mungesës së konsensusit brenda BE-së – si pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të Unionit.