Pas fazës përgatitore të zhvilluar në Slloveni dhe më pas në Tetovë, kuqezinjtë e Shkëndijës tashmë ndodhen në Oswestry të Uellsit, ku të martën do të luajnë ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve ndaj kampionëve vendas, The New Saints.
Shkëndija e Tetovës sot ka mbërritur në Oswestry të Uellsit, aty ku të martën do të nisë zyrtarisht rrugëtimin evropian për sezonin 2024/25. Kuqezinjtë do të përballen me The New Saints, kampionët e Uellsit, në sfidën e parë të raundit të parë eliminator të UEFA Ligës së Kampioneve.
Skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri vjen në këtë përballje pas një faze përgatitore të ndarë në dy pjesë – fillimisht në Slloveni, ku u zhvilluan testet kryesore ndaj kundërshtarëve ndërkombëtarë, dhe më pas në Tetovë, ku u finalizuan detajet taktike dhe fizike para nisjes drejt Britanisë.
Atmosfera në kampin kuqezi është pozitive, ndërsa ekipi duket i përqendruar dhe i motivuar për të nisur me këmbë të mbarë këtë fushatë evropiane. Objektivi është i qartë – të merret rezultat pozitiv në duelin e parë, për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit para ndeshjes së kthimit në Shkup.
Ndeshja do të luhet të martën, më 9 korrik, në stadiumin “Park Hall” të Oswestry-t, me fillim nga ora 20:00 sipas kohës lokale.