Tetë plumbat që tronditën qetësinë e 40 viteve në Romë

- Bota Sot

Tetë plumbat që tronditën qetësinë e 40 viteve në Romë

Dyqane veshjesh të transformuara në banka të jashtëligjshme, një ekonomi në hije dhe valixhe të mbushura me para, që bëjnë xhiro mes Italisë dhe Hong Kongut. E më pas lufta. Me të shtëna. La Repubblica sjell një rrëfim të mafies kineze drejt Italisë, nga Roma, në Milano e Prato.

Lind në Romë, nën hijen e ndërtesave të pushtetit. Rritet në heshtje, zhvendoset në Milano, infiltrohet në ekonominë vendase. Më pas zgjedh Praton si bazë operative. Mafia kineze ndodhet në Itali prej gati 40 vitesh. Ka punuar në hije. Ka ndërtuar perandori pa bërë zhurmë. Drogë, prostituta, ndërmarrje fantazmë, mallra false. E mbi të gjitha, pastrim parash. Para që qarkullon pa lënë gjurmë. Nga Italia në Kinë. Miliarda, që modifikojnë hartën e pushtetit ekonomik global. Asnjë përplasje me mafiat vendase. Vetëm biznes. Derisa heshtja u thye.

Tetë të shtëna. Tetë të shtëna dhe dy kufoma. Për të zgjuar Romën nga një përgjumje 30-vjeçare, e për ta detyruar që të përballet me mafian kineze, u desh një ekzekutim si në filma. Dy të vrarë të shtrirë në asfaltin e rrugës Prenestina, duke dëshmuar praninë për të cilën kryeqyteti, që di dhe njeh gjithçka, e ka toleruar deri më tani në heshtje.

Sepse për tre dekada me radhë, Dragoi nuk bëri zhurmë, nuk u përplas për kontroll të territorit, nuk pretendoi kurrë të komandonte. Më mirë biznese, të menaxhuara në mënyrë rigoroze në gjuhën mandarine. Dhe madje pa rënë aspak në sy. Të ndaluara selfiet me kokainë, kjo nuk është Gomorra e as Suburra. Pax Romana. Më pas, papritur, plumba e gjak që njollosin blloqet me numrat e metanfetaminës, të trafikut të grave e të parave që duhen pastruar duke u futur në ekonomi, tek tregu i pasurive të paluajtshme te industria tekstile. Mafia kineze tani hap zjarr e shënon viktima, tregon një anë të dhunshme të saj ndaj qytetit që ka infektuar.

Në kryeqytetin italian ka tre celula të mafies lindore. Me gjenezën te Esquilino, China Town-i roman i mbushur me biznese fotokopjeje, u zgjerua në periferinë lindore të qytetit. Por është gjithmonë aty, rreth stacionit të Termini, ku paratë qarkullojnë me shpejtësi në makineritë e numërimit të kartëmonedhave. Kalojnë përmes shoqërive fiktive dhe llogarive të fshehura. Duke arritur të futet pikërisht në këtë, La Repubblica mund të rrëfejë, nisur nga një hetim i Antimafias i kryer me kujdes dhe fshehtësi të plotë. Një hetim që është në gjendje të çjerrë maskën e gjigantit që, pasi ka dalë nga heshtja, lëviz kapital, ridizenjon zinxhirët e furnizimit dhe formëson segmente të tëra të ekonomisë globale. Dhe e bën me saktësinë e dikujt që tashmë di si të lëvizë.

Mafia kineze ka lëshuar rrënjë në kryeqytetin italian që prej vitit 1991. Katër vite më vonë, kjo do të konfirmohej nga vendimi i një gjykate të kryeqytetit, që nxirrte në pah praninë e një organizate komplekse, e aftë për të siguruar pjesën e saj në tregun e drogës dhe e specializuar në trafikimin e qenieve njerëzore, falë një rrjeti shtëpish për takime e bixhoz.

Një perandori e drejtuar nga kinezë për kinezët e Romës, duke lënë jashtë të gjithë pjesën tjetër të qytetit. Sepse paraja nuk ulëret, dhe mafia lindore është kujdesur gjithmonë që të qëndrojë larg telasheve, duke shmangur përplasjen me krimin e organizuar italian. Përkundrazi, është vënë në dispozicion të klaneve dhe familjeve mafioze, duke i pritur te arka e parave.

Por më pas ndodhën të shtënat. Ato tetë plumba ndryshuan historinë e mafies lindore. Mbi të gjitha narrativën e saj, e ndërtuar për gati gjysmë shekulli mbi të njëjtat stereotipe: suvenire qesharake, kopje të markave të famshme, restorante. Një tregim pothuajse folklorik, pas të cilit në të vërtetë rritej një biznes milionash, aq i degëzuar sa ishte i vështirë për t’u gjurmuar. Të paktën në fillim, deri në ndërhyrjen e karabinierëve dhe të Guardia di Finanza.

Një punë e çmuar, e përpiktë, që mundësoi drejtuesit aktualë të Antimafias që të kishin një hartë të qartë dhe të rindërtonin strukturën e mafies kineze dhe celulave të saj. E para merret me pastrim parash, pastron shuma të mëdha. Një e dytë menaxhon punët e prostitucionit dhe metanfetaminës. Një e tretë, me qasje sipërmarrëse, infiltrohet në ekonominë reale me salla bastesh e industri tekstile. Mjaftonte ndjekja e parave. Dhe prokurorja Lucia Lotti bëri pikërisht këtë, që nga janari i vitit 2005. Alarmi i parë u dha nga një sinjalizim i Doganave. Për të shmangur detyrimet, kinezët falsifikonin dokumentet doganore.

Shtireshin sikur kontejnerët që vinin nga Kina kishin origjinë nga vende të tjera. Që aty doli në pah një botë tjetër, një qarkullim mbresëlënës pastrimi parash dhe faturash të falsifikuara, që riktheu Romën dhe sheshin Vittorio në qendër të kësaj skeme. Dolën menjëherë në pah emra, adresa, shoqëri. Centrale Fiduciaria s.r.l., në teori një organ auditimi, në të vërtetë ishte banka klandestine. Dritare të blinduara, sensorë kundër hyrjeve të paautorizuara, makineri numërimi kartëmonedhash.

Më pas ajo, Jialing Zhao. E lindur në vitin 1970, ishte fytyra e pastër e kompanisë Vita Bella Trading Company. Ishte viti 2004 dhe në vetëm tre muaj, kompania e Zhaos numëronte të ardhura prej 12 milionë eurosh.

Hipoteka, sponsorizime, pronësi të rreme. Kështu mafia kineze bleu dyqane, apartamente, toka, magazina. Kështu ajo mori një pjesë të Romës, në heshtje dhe në mënyrë klandestine. Por ekziston dyshimi: “Nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes së strukturave mafioze italiane”, thuhet në aktet e hetimit. Dhe kështu mund të shpjegohet heshtja e kryeqytetit, toleranca… Dyshimi bëhet fillimi i kësaj historie: mafia kineze është një sistem i mirëorganizuar. Dhe Roma është e zhytur, deri në fyt.



Read it all at Bota Sot