Pas refuzimit të bujshëm të Nico Williams, i cili vendosi të rinovojë me Athletic Bilbao deri në vitin 2032, FC Barcelona rrezikon të përjetojë një tjetër zhgënjim në merkaton e verës. Kësaj here bëhet fjalë për Luis Díaz, sulmuesin kolumbian të Liverpool-it, për të cilin gjiganti katalanas kishte riaktivizuar interesimin me qëllim forcimin e krahëve të sulmit.
Megjithatë, sipas raportimeve nga gazeta gjermane “Bild”, Díaz është shumë më pranë një kalimi te Bayern Munich. Klubi bavarez ka paraqitur një ofertë të rëndësishme për lojtarin dhe duket se ka marrë miratimin e tij për kushtet personale.
Tashmë mbetet vetëm që Bayern të negociojë me Liverpool-in, klub i cili deri më tani është treguar hezitues për të pranuar largimin e sulmuesit.
Nëse marrëveshja finalizohet, do të ishte një tjetër goditje për ambiciet e FC Barcelona-s, që për shkak të vështirësive financiare nuk mund të përballet në të njëjtat kushte me gjigantët evropianë. Sipas “Sport”, nëse Díaz ka dhënë vërtet "OK"-in për transferimin në Gjermani, atëherë do të shuhet edhe një tjetër shpresë e merkatos për klubin katalanas.