Drita gati për sfidën ndaj Differdange: Ramadani kërkon përkushtim maksimal

- Bota Sot

Drita gati për sfidën ndaj Differdange: Ramadani kërkon përkushtim maksimal

Drajneri i Dritës, Zekerija Ramadani, ka thënë se ndeshja ndaj Differdange është një sfidë, ndaj ai ka kërkuar nga lojtarët përkushtim maksimal.

Drita e Gjilanit është gati për ta nisur aventurën evropiane, këtë herë në kualifikimet e Champions League dhe kndërshtari i parë i skuadrës kosovare është skuadra kampione e Luksemburgut. 

ndeshja e parë zhvillohet këtë javë dhe Ramadani ka dalë para mediave të hënën, ku ka folur për pritshmëritë dhe përgatitjet e skuadrës.

“Na pret një sfidë e re, ndryshe nga ajo e vitit të kaluar kur u paraqitëm në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Kemi obligim moral që të përfaqësojmë sa më mirë jo vetëm Dritën dhe qytetin e Gjilanit, por të gjithë futbollin kosovar”, ka thënë ai. 

Trajneri shkupjan ka theksuar se skuadra ka pasur pesë javë për t’u përgatitur dhe se janë më mirë fizikisht se vitin e kaluar. Megjithatë, ai ka pranuar se forma e plotë fizike vjen pas disa ndeshjeve zyrtare.

“Nuk kemi kohë për të humbur. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Kemi pasur fat që ishim bartës në short, sepse përndryshe do të kishim kundërshtar më të vështirë. Ky është një avantazh që duhet ta shfrytëzojmë dhe të kalojmë tutje”, ka shtuar ai. 

Megjithatë, Ramadani ka kërkuar që skuadra të mos e nënvlerësojë kundërshtarin.

“Fati ishte vetëm gjatë shortit. Tani na pret një punë e jashtëzakonshme në fushë. Duhet të japim më shumë se kundërshtari. Pa djersë dhe pa e dashur më shumë fitoren, nuk arrihet asgjë”, është shprehur ai. 

Ramadani ka folur edhe për pikat e forta të skuadrës nga Luksemburgu, duke përmendur disiplinën taktike dhe rrezikshmërinë nga ndërprerjet.

“Kanë lojtarë të gjatë dhe janë shumë të disiplinuar. Ne kemi punuar për t’u mbrojtur nga ato pika të forta dhe për të shfrytëzuar dobësitë e tyre”, ka thënë ai. 

Trajneri i Dritës ka vlerësuar se në letër skuadra e tij është favorite.

“Kemi qenë bartës në short dhe kjo na jep statusin e favoritit, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Kundërshtari ka përvojë, por edhe ne kemi armët tona. I kemi përgatitur të gjitha sistemet për t’u përballur me ta”, ka thënë Ramadani. 

Qëllimi i Dritës, sipas teknikut shqiptar, është i qartë: kalimi në raundin e dytë.

“Përgatitjet i kemi bërë si për kampionat, ashtu edhe për Evropë. Objektivi është të kalojmë tutje dhe të qëndrojmë sa më gjatë në gara evropiane. Mendojmë vetëm për të kaluar raundin e parë me sukses. Edhe nëse arrijmë grupet e Ligës së Konferencës, do të ishim krenarë”, ka deklaruar ai. 

Ramadani e ka konfirmuar se kapiteni Rron Broja do të mungojë, por shpreson që lojtarët e tjerë të japin maksimumin për ta kompensuar mungesën e tij.



Read it all at Bota Sot