Interi është i shqetësuar për të ardhmen e Denzel Dumfries, pasi interesimi nga Manchester City dhe Barcelona është rritur ndjeshëm për shkak të klauzolës së lirimit prej 25 milionë eurosh që figuron në kontratën e holandezit.
Sipas Mundo Deportivo, drejtuesit e Interit kanë frikë se të dy klubet mund ta aktivizojnë klauzolën, pavarësisht se nuk kanë ndërmend të ndahen me lojtarin për momentin.
Një largim i papritur i Dumfries mund të dëmtojë planet e afatit kalimtar të klubit nga Milano.
Pep Guardiola kërkon të sjellë një mbrojtës të djathtë të ri te City, për të rritur konkurrencën me Rico Lewis, pas formës së dobët të skuadrës në sezonin e kaluar, andaj Dumfries po shihet si zgjidhje e menjëhershme dhe me eksperiencë.
Megjithatë, City duhet të veprojë shpejt, pasi klauzola skadon më 15 korrik.
Barcelona gjithashtu raportohet se është e interesuar për Dumfries, duke besuar se profili i tij përputhet me nevojat taktike të skuadrës.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është se Dumfries është pranë emërimit të Jorge Mendes si agjentin e tij të ri, gjë që mund të favorizojë Barcelonën, pasi kanë raporte të shkëlqyera me Mendes.
Në rast se Dumfries largohet, Interi ka identifikuar Dan Ndoye të Bolognas si zëvendësuesin potencial për krahun e djathtë.