Janë publikuar të dhëna tronditëse që lidhen me figurën e Nazim Bllacës – dëshmitar bashkëpunues i EULEX-it, por edhe, siç pretendohet, bashkëpunëtor i hershëm i Prokurorisë së Serbisë.
Në emision janë zbuluar dokumente dhe dëshmi që ndriçojnë prapaskenat e një sërë vrasjesh të pasluftës, të cilat kanë lënë gjurmë në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës.
“‘Gjeografi’ pas një dalje publike në vitin 2009, ku fliste për vrasje, krime, shantazhe, rrahje e plagesa, kishte vendosur të bashkëpunonte me prokurorinë. Brenda burgut, por edhe jashtë tij gëzonte privilegje. Brenda në burg, kishte telefon! Madje kishte shumë programe që regjistronte çdo bisedë”, ka thënë Ermal Panduri në DebatPlus.
“Në llaptopin e tij, është një dokument i hartuar në vitin 2012. Në atë kohë ishte top sekret. Flet për vrasjet e pasluftës! Është folur për ekzistencën e tij, por në publik nuk është parë. Quhet Dosja Nr: OCIU/22/20120131/3297.E ka hartuar Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar, e Policisë së EULEX”, ka thënë ai.
Në dokument përmendet emri i Nazim Bllacës si i dyshuar dhe njëherësh kontribues në këtë raport.
“Siç e shihni në këtë foto, ka shumë detaje për hartuesit e këtij dokumenti. Por, aty shihet edhe një emër! Është Nazim Bllaca. Cilësimin e ka i dyshuar, por është kontribues në këtë dokument”, ka thënë ai.
“Aty janë evidentuar, 16 raste të vrasjeve e tentim vrasjeve, që është konstatuar që janë me motive politike. Sipas raportit “gjah” ishin zyrtarët e LDK-së e ish zyrtarët e sigurisë së regjimit serb”, ka thënë Panduri.
Ndër rastet e përfshira janë: Vrasja e Selim Broshës, ish-zyrtar i lartë i UDB-së, i vrarë më 14 shtator 2000; Vrasja e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut, më 19 tetor 2001, ku mbeti i plagosur edhe Gani Geci; Vrasja e Sali Gashit, më 15 qershor 1999, anëtar i LDK-së; Vrasja e Haki Imerit, më 2 nëntor 1999, kryetar i degës së LDK-së në Turicë të Skenderajt; Vrasja e Ahmet Istogut dhe Tahir Zemajt, ky i fundit me një pasaktësi në raport ku thuhet gabimisht se ishte anëtar i AAK-së; Ekzekutimi i Ibush Kllokoqit, më 6 gusht 1999, ish-zyrtar i sigurimit serb.
“A ju kujtohet emri Selim Brosha! Është përmendur shumë në ciklin e emisioneve “Tradhëti Vllezërish” Shqiptarët dhe UBD-ja. Brosha ishte një UDB-sh. I vrarë me 14 shtator të vitit 2000. Rasti i tij, ka zënë vend në dosjen sekrete të hetuesve të EULEX-it. Kështu e përshkruan raporti, skenën e krimit”, ka thënë ai.
Në emision gjithashtu janë prezantuar dëshmi për privilegjet që Bllaca kishte edhe gjatë kohës së paraburgimit – përfshirë përdorimin e telefonit dhe programeve të regjistrimit – si dhe ekzistenca e një llaptopi ku ai kishte ruajtur dokumente, komunikime, video dhe dëshmi të tjera.