Beqiri dhe Ibraimi: Të përgatitur për një rezultat pozitiv ndaj TNS

- Bota Sot

Beqiri dhe Ibraimi: Të përgatitur për një rezultat pozitiv ndaj TNS

Skuadra e Shkëndijës ka mbajtur sot konferencën zyrtare për shtyp në prag të sfidës së parë të raundit të parë eliminator të UEFA Ligës së Kampionëve, që do të zhvillohet të martën nga ora 20:00, sipas kohës sonë lokale, kundër kampionit të Uellsit, The New Saints (TNS). Ndeshja do të luhet në stadiumin “Park Hall” në Oswestry.

Para seancës zyrtare stërvitore, para mediave u paraqitën trajneri Jeton Beqiri dhe kapiteni Besart Ibraimi, të cilët shprehën optimizmin dhe përgatitjen serioze të ekipit për këtë përballje të rëndësishme.

Jeton Beqiri:
“Jemi të përgatitur maksimalisht për sfidën e nesërme. Që nga fillimi i fazës përgatitore kemi punuar me përkushtim të madh dhe, pas hedhjes së shortit, jemi fokusuar tërësisht te TNS. Besoj se lojtarët do të japin më të mirën në fushë dhe do të arrijmë një rezultat pozitiv.”

Besart Ibraimi:
TNS është një kundërshtar që e njohim mirë. I kemi analizuar me kujdes, duke evidentuar pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Kemi kujtime pozitive nga përballjet e kaluara me ta dhe gëzohemi që do të luajmë sërish kundër tyre. Shpresoj që edhe këtë herë të dalim fitues.”

Shkëndija kërkon të nisë me këmbë të mbarë rrugëtimin evropian, me synimin për të kaluar në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve. Përkrahja e tifozëve dhe përkushtimi në fushë mbeten shtyllat kryesore në përpjekjen për një tjetër sukses ndërkombëtar.



Read it all at Bota Sot