Interi ka përcaktuar strategjinë financiare për merkaton e verës dhe i ka dhënë dritën jeshile trajnerit të ri Cristian Chivu për të vepruar në treg. Sipas asaj që raporton ‘La Gazzetta dello Sport”, buxheti i planifikuar për përforcimet e skuadrës kap vlerën e 100 milionë eurove.
Takimi i zhvilluar mbrëmjen e djeshme në selinë e klubit, ku morën pjesë presidenti Beppe Marotta, drejtori sportiv Piero Ausilio dhe zëvendësi i tij Dario Baccin, shërbeu për të përcaktuar linjat e përgjithshme të merkatos. Pak para nisjes për pushime, Chivu diskutoi me drejtuesit për prioritetet në ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri.
Në krye të listës së dëshirave ndodhet mesfushori brazilian i Atalantës, Ederson, i cili konsiderohet si objektivi kryesor për repartin e mesfushës. Megjithatë, para emrave, klubi është fokusuar në balancimin e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Plani financiar parashikon një bilanc negativ deri në 100 milionë euro në raportin mes blerjeve dhe shitjeve, një lëvizje që përfaqëson një ndryshim të qartë nga politikat e viteve të fundit, kur synohej ruajtja e barazpeshës ose evitimi i humbjeve.
Ky hap i ri sinjalizon ambicien e Interit për të qenë sërish konkurrues në nivelet më të larta, duke mbështetur trajnerin e ri me burime të konsiderueshme financiare.