Ylli i Bayern Munich, Jamal Musiala, i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale në klinikën e specializuar në Murnau, Bavari, pas dëmtimit të rëndë që pësoi në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube në Atlanta kundër Paris Saint-Germain (0-2).
Talenti 22-vjeçar gjerman pësoi një frakturë të fibulës dhe dëmtim të ligamentit në kyçin e këmbës së majtë. Bayern njoftoi zyrtarisht rezultatin e ndërhyrjes kirurgjikale nëpërmjet mediave sociale.
Musiala ishte kthyer më herët në Mynih me një fluturim privat të dielën në mëngjes, një ditë para kthimit të ekipit. Operacioni ishte planifikuar nga mjeku i klubit Dr. Jochen Hahne që nga radiografia e parë në Atlanta.
Dje pasdite, raporton Bild, vetë Hahne shkoi personalisht në klinikën Murnau për të monitoruar nga afër situatën e talentit të ri dhe për t’u takuar me kirurgët. Sipas informacionit të mbledhur, operacioni u krye nga i njëjti ekip mjekësor që shpëtoi karrierën e Manuel Neuer pas aksidentit të tij në ski.
Tani Musiala fillon një udhëtim të gjatë rikuperimi, me qëllimin për t’u rikthyer në mes të sezonit të ardhshëm dhe për të fituar një vend në Kampionatin Botëror 2026.