Pavarësisht një fund sezoni të trazuar nga dëmtimet, një pjesëmarrjeje thuajse simbolike në Kupën e Botës për Klube dhe disa tensione të brendshme, Interi nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e Marcus Thuram.
Sulmuesi francez shihet si një pjesë kyçe e projektit të ri të teknikut Cristian Chivu dhe klubi nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e tij.
Një tjetër detaj që forcon pozicionin e klubit zikaltër është fakti se klauzola prej 85 milionë eurosh e parashikuar në kontratën e Thuram ka skaduar mbrëmjen e djeshme në mesnatë.
Kjo do të thotë se çdo klub që synon të sigurojë shërbimet e tij duhet të ulet në tryezë me drejtuesit e Interit, konkretisht me Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio dhe të negociojë direkt.
Drejtuesit e Interit e kanë bërë të qartë pozicionin e tyre edhe gjatë një takimi të fundit me trajnerin e ri:
Thuram nuk largohet, përveçse në rast se mbërrin një ofertë e jashtëzakonshme, mbi 90 milionë euro. Deri tani, një skenar i tillë nuk është në horizont dhe klubi është i bindur për të vazhduar rrugën me sulmuesin francez si një shtyllë të projektit të ri sportiv..