E ardhmja e Rey Manajt duket se do të vazhdojë në Superligën turke, me disa klube të interesuara për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare.
Edhe pse qëndrimi te Sivasspor duket i pamundur në këtë fazë, interesimi për 28-vjeçarin është i lartë, me klube si Beşiktaş, Trabzonspor, Göztepe dhe Samsunspor që ndjekin nga afër situatën.
Në krye të garës për momentin është Samsunspor. Drejtuesit e klubit janë gati të paraqesin një ofertë konkrete pranë Sivassporit, që do të shqyrtohet seriozisht nëse arrin shifrën e kërkuar.
Sipas mediave turke, Sivasspor kërkon rreth 4 milionë euro për kartonin e Manajt, i cili është i lidhur me klubin deri në qershor të vitit 2026. Vetë lojtari raportohet se e sheh me sy të mirë një kalim te Samsunspor, çka rrit mundësinë që marrëveshja të mbyllet brenda pak ditësh.
Në rast se ky transferim dështon, gati për të përfituar janë edhe klube të tjera si Göztepe, Çaykur Rizespor, Trabzonspor dhe Sakaryaspor, këta të fundit një klub ambicioz në Ligën e Parë që synon ngjitjen në elitë. Rey Manaj është një nga emrat më të lakuar të merkatos turke në këtë verë, dhe e ardhmja e tij pritet të marrë drejtim shumë shpejt.