Në një përballje që cilësohet si “finalja e parakohshme” e Kupës së Botës për Klube, Real Madrid dhe PSG do të ndeshen të mërkurën mbrëma në New York, në një duel gjigantësh që pritet me entuziazëm të madh.
PSG, kampione e Evropës, vjen pas një paraqitjeje të shkëlqyer ndaj Bayern Munichut, ndërsa Real Madridi i Xabi Alonsos mbetet gjithmonë një emër që gëzon respekt, pavarësisht se tekniku spanjoll ende është në fillimet e tij në krye të bankinës së “Los Blancos”.
Vëmendja do të jetë e madhe edhe te Kylian Mbappe, i cili për herë të parë do të përballet me ish-klubin e tij pas 7 sezonesh me parizienët.
Së fundmi, Mbappe ka tërhequr padinë penale ndaj PSG-së, por vijon të kërkojë 55 milionë euro për paga e bonuse të papaguara në gjykatën e punës.
Ndërkohë, Real Madridi ka kërkuar nga federata spanjolle që ndeshja e parë e sezonit të ri në La Liga ndaj Osasunës, e planifikuar më 19 gusht, të shtyhet deri në tetor, për shkak të ndeshjeve në SHBA dhe nevojës për rikuperim pas turneut.