Rreth orës 14:30 pasdite, Beogradi u godit nga një stuhi e fuqishme që solli reshje të dendura dhe erëra të forta.
Si pasojë e motit të keq, një vinç ndërtimi u shemb në një kantier në zonën e Novi Beogradit.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, vinçi u rrëzua për shkak të erërave jashtëzakonisht të forta, duke rënë mbi disa automjete të parkuara pranë kantierit. Ngjarja është përjetuar me shqetësim nga banorët e zonës dhe kalimtarët që ndodheshin aty pranë.
Fatmirësisht, në këtë incident nuk pati persona të lënduar – një zhvillim që konsiderohet si mrekulli, duke marrë parasysh madhësinë dhe rrezikshmërinë e vinçit. Megjithatë, dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi disa automjete janë shkatërruar plotësisht.
Autoritetet lokale dolën menjëherë në terren dhe bënë sigurimin e zonës, ndërsa po hetohen shkaqet konkrete të shembjes dhe nëse ishin respektuar masat e sigurisë në kantier.
Kujtojmë se kjo stuhi e fuqishme ka përfshirë sot disa pjesë të rajonit, përfshirë Slloveninë, Kroacinë, pjesërisht Bosnjën dhe Serbinë, duke shkaktuar probleme në qarkullim, dëme materiale dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.