Ardian Ismajli është lojtar më i ri i Torinos. Mbrojtësi shqiptar, i cili vjen si lojtar i lirë pas shkëputjes nga Empoli më 30 qershor, ka mbërritur mëngjesin e të hënës në Institutin e Mjekësisë Sportive, brenda stadiumit “Olimpico Grande Torino”, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore përpara se të firmosë kontratën me klubin dhe të vihet në dispozicion të trajnerit Marco Baroni, duke filluar nga e marta, kur skuadra do të nisë stërvitjet në qendrën “Filadelfia” nën drejtimin e trajnerit të ri. Gjithçka shkoi sipas parashikimeve, më pas përfaqësuesi shqiptar do të nënshkruajë një kontratë trevjeçare me klubin torinez, me mundësi vazhdimi edhe pë një tjetër.
Sipas mediave italiane, Ismajli do të paguhet 1.1 milionë euro në vit plus bonuset. Ardian Ismajli, i lindur në vitin 1996, e përfundoi aventurën e tij me Empolin pas 106 paraqitjesh gjithsej, prej të cilave 31 vetëm në sezonin e fundit. Në total, 28-vjeçari ka zhvilluar 117 ndeshje në Serie A, ndërsa ka realizuar një gol dhe ka dhënë dy asistime.
Ardhja e tij te një klub i madh e me shumë histori në futbollin italian sikundër është Torino, është një hap i rëndësishëm në karrierën e futbollistit shqiptar, që pritet të ndikojë pozitivisht edhe në përfaqësimin e tij me fanellën e ekipit tonë kombëtar.
Së fundmi klubi i Torinos, ka postuar në rrjetet sociale, një shqiponjë dykrenare të formuar me duart, që simbolizon flamurin shqiptar, duke lënë të kuptohet që në orët në vijim, në faqen zyrtare do të vijë edhe prezantimi i Ismajlit.