Kampionët në fuqi të UEFA Champions League, Paris Saint-Germain, do të përballen me Real Madridin në një gjysmëfinale tërësisht evropiane të Kupës së Botës për Klube, me Kylian Mbappé që mund të luajë për herë të parë kundër ish-skuadrës së tij pas transferimit në Spanjë.
PSG arriti të mposhtte Bayern Munich me rezultatin 2-0 në çerekfinale, pavarësisht dy kartonëve të kuq në minutat e fundit, duke shënuar fitoren e tretë radhazi në këtë turne pa pësuar gol. Kjo ishte përgjigjja ideale pas humbjes 1-0 në ndeshjen e dytë të grupeve ndaj Botafogos, transmeton KosovaPress.
Kampionët francezë, të cilët kanë fituar katër trofe këtë sezon, janë tashmë të mësuar me sfidat e fazave me eliminim direkt dhe nuk kanë pësuar asnjë gol në katër ndeshjet e fundit të këtij formati.
Nga ana tjetër, Real Madridi e nisi fuqishëm çerekfinalen ndaj Borussia Dortmund, duke shënuar golin e parë dhe udhëhequr bindshëm, para një fundi dramatik që solli tre gola në minutat shtesë, një karton të kuq për Dean Huijsen dhe një pritje vendimtare nga Thibaut Courtois në sekondat e fundit (fituan 3-2). Mungesa e Huijsen për shkak të pezullimit është një problem për “Los Blancos”, por motivimi nuk mungon: klubi ka premtuar shpërblim prej 1 milion euro për çdo lojtar në rast triumfi në këtë kompeticion. Nën drejtimin e trajnerit të ri Xabi Alonso, Real Madridi është ende i pamposhtur (4 fitore, 1 barazim).
Në 12 ndeshje të mëparshme mes tyre – më e fundit në sezonin 2021/22 – Reali ka një epërsi të lehtë me pesë fitore ndaj katër të PSG-së, ndërsa tre ndeshje janë mbyllur në barazim.