Ndryshimet klimatike gati trefishuan vdekjet nga i nxehti në Evropë, thotë një studim

- Bota Sot

Ndryshimet klimatike gati trefishuan vdekjet nga i nxehti në Evropë, thotë një studim

Ndryshimet klimatike pothuajse trefishuan numrin e vdekjeve të lidhura me të nxehtin në qytetet e mëdha evropiane, gjatë valës së të nxehtit ekstrem, nga fundi i qershorit deri në fillimin e korrikut, sipas një studimi të ri.

Hulumtues nga Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Holanda dhe Zvicra analizuan kushtet në 12 qytete të mëdha evropiane ndërmjet 23 qershorit dhe 2 korrikut, raporton DPA.

Ata erdhën në përfundim se rreth 2.300 njerëz kanë vdekur nga shkaktarët e lidhur me të nxehtin gjatë periudhës 10-ditore, ndërsa për dy të tretat e vdekjeve – rreth 1.500 – u fajësuan ndryshimet klimatike.

Temperaturat në shumë qytete arritën nivele ekstreme gjatë asaj periudhe, shpesh duke kaluar 40 gradë celsius.

Pa ngrohjen globale, që studimi thotë se ka ngritur temperaturat e ditës në qytete për 1 deri në 4 gradë celsius, rreth 800 njerëz do të kishin vdekur nga i nxehti, sipas llogaritjeve të grupit.

Për analizën, ekipi ka krahasuar temperaturat aktuale të regjistruara në qytete gjatë periudhës, me vlera të modeluara që do të mund të ishin regjistruar pa ndryshimet klimatike.

Më pas, është llogaritur numri i pritur i vdekjeve të lidhura me të nxehtin në të dy skenarët.

Vala e vonë e të nxehtit ka prekur veçanërisht grupet e prekshme, si njerëzit me probleme ekzistuese dhe të moshuarit.

Sipas ekipit, 88 për qind e vdekjeve të llogaritura kanë ndodhur në mesin e personave të moshës 65 vjeç dhe më të vjetër./REL



Read it all at Bota Sot