Xhandarmëria serbe me simbole ruse, Islami: Nuk është rastësi, por sinjal shqetësues

- Bota Sot

Xhandarmëria serbe me simbole ruse, Islami: Nuk është rastësi, por sinjal shqetësues

Një pamje që ka qarkulluar në rrjetet sociale ku shihet një pjesëtar i xhandarmërisë serbe, duke mbajtur në uniformë një emblemë me simbole ruse ka nxitur reagime.

Pjesëtari i xhandarmërisë serbe thuhet se ishte i përfshirë në ndërhyrjen ndaj protestuesve në Beograd, dhe në uniformë kishte emblemën me simbole ruse dhe mbishkrimin “Dimitrij Donski” – një figurë historike ruse që sot simbolizon ideologjinë nacionaliste dhe militariste pro-Kremlinit.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, në një reagim publik, e cilësoi këtë si një dëshmi alarmante të ndërthurjes ideologjike ruso-serbe brenda institucioneve shtetërore të sigurisë.

“Simbolet e Rusisë në uniformat e xhandarmërisë serbe janë dëshmi alarmante e ndikimit ideologjik në institucionet e sigurisë të Serbisë,” tha Islami.

Ai shtoi se prania e emrit të princit rus të shekullit XIV, Dmitrij Donski, në këtë kontekst, nuk është e rastësishme.

“Në emër të tij marshojnë ata që besojnë në ‘Botën Ruse’ – një koncept ideologjik që promovon përplasjen me Perëndimin, luftërat ‘të shenjta’, dhe përhapjen e ndikimit rus përtej kufijve të saj”, ka thënë Islami.

Për të ky rast nuk mund të trajtohet thjesht si një incident i izoluar, por si tregues i një tendence më të gjerë e më të rrezikshme.

“Fakti që ky simbol gjendet në uniformën e një efektivi të xhandarmerisë serbe, i cili ndërhyn ndaj qytetarëve të vet protestues, është më shumë se një incident – është një tregues i rrezikshëm i ndërthurjes ideologjike mes Rusisë dhe Serbisë në nivel institucional”, ka shkruar Islami.

Ai ka edhe një apel duke theksuar se “Historia na ka mësuar se kur ideologjitë ekstremiste dhe strukturat e dhunës bashkohen, pasojat janë gjithmonë shkatërruese. Është koha për vigjilencë dhe për një analizë të thelluar të ndikimeve të jashtme në aparatin shtetëror serb”.



Read it all at Bota Sot