Kancelari gjerman optimist për marrëveshjen mbi mbështetjen për mbrojtjen ajrore të Ukrainës

- Bota Sot

Kancelari gjerman optimist për marrëveshjen mbi mbështetjen për mbrojtjen ajrore të Ukrainës

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se do të paraqesë propozime konkrete për mbështetjen e mbrojtjes ajrore të Ukrainës gjatë Konferencës për Ukrainën që do të mbahet të enjten në Romë.

Gjatë një seance pyetje-përgjigjeje në Bundestag të mërkurën, Merz theksoi se ndihma për Kievin nuk do të ndalet për shkak të mungesës së fondeve apo personelit.

“Ndihma jonë për Ukrainën nuk do të dështojë për shkak të burimeve financiare apo mungesës së personelit. Pengesa e vetme aktualisht është prodhimi i armëve, pajisjeve dhe municioneve”, u shpreh ai.

Merz vlerësoi si një “shenjë të mirë” angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të Ukrainës dhe tha se do të diskutojë personalisht me përfaqësues të Uashingtonit mbi forcimin e sistemit të mbrojtjes ajrore ukrainase.

Sulmi izraelit ndaj Iranit, sipas Merz “absolutisht i justifikuar”

I pyetur për ligjshmërinë ndërkombëtare të sulmit të fundit të Izraelit ndaj Iranit, Merz mori një qëndrim të fortë në mbështetje të Tel Avivit.

“Askush nuk e di sa afër ishte Irani me një sulm bërthamor. Ajo që është e sigurt është se Izraeli ka qenë nën sulme të përditshme për vite me radhë. Sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 e bëri kërcënimin të qartë. Prandaj, nuk kam asnjë dyshim për ligjshmërinë e veprimeve të Izraelit,” deklaroi ai.



Read it all at Bota Sot