Hakmarrje, Huthët marrin përgjegjësinë për fundosjen e anijes greke në Detin e Kuq

- Bota Sot

Hakmarrje, Huthët marrin përgjegjësinë për fundosjen e anijes greke në Detin e Kuq

Rebelët Huthit në Jemen kanë marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin ndaj anijes greke të mallrave Eternity C, e cila u fundos plotësisht në Detin e Kuq pas disa goditjeve të rënda me raketa dhe mjet detar pa pilot.

Zëdhënësi i Huthëve, Yahya Saree, deklaroi për televizionin Al Masirah se sulmi ishte hakmarrje ndaj pronarit të anijes, i cili sipas tij kishte rifilluar operacionet tregtare me portin izraelit të Eilatit, të cilin rebelët e quajnë “Umm al-Rashrash”.

“Forcat detare jemenase goditën anijen Eternity C, e cila po shkonte drejt portit të pushtuar në Palestinë. U përdor një anije pa pilot dhe gjashtë raketa lundrimi dhe balistike. Si rezultat, anija u fundos plotësisht”, deklaroi Saree.

Sipas tij, disa anëtarë të ekuipazhit morën ndihmë mjekësore nga forcat Huthi dhe u dërguan në një vend të sigurt, ndonëse Reuters raportoi se të paktën katër persona u vranë në sulm. Të dhënat më të fundit flasin për gjashtë marinarë të shpëtuar nga misioni evropian Aspides, ndërsa 15 të tjerë mbeten të zhdukur që prej mbrëmjes së 9 korrikut. Sipas burimeve, të shpëtuarit kaluan mbi 24 orë në det të hapur.

Incidenti ndodhi 51 milje detare në perëndim të qytetit portual Hodeidah, një zonë e njohur për rreziqet që paraqesin sulmet Huthi ndaj anijeve të lidhura me Izraelin apo aleatët e tij.

Saree theksoi se të gjitha anijet që operojnë me ose drejt porteve izraelite do të jenë objektiv legjitim, pavarësisht nga vendndodhja e tyre.

“Ne paralajmërojmë sërish kompanitë dhe vendet për pasojat e bashkëpunimit me entitetin sionist,” tha ai.

Sulmet e Huthëve janë pjesë e një fushate më të gjerë të rebelëve të mbështetur nga Irani, e cila ka për qëllim të ndërpresë qarkullimin tregtar drejt Izraelit përmes Detit të Kuq, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar është i alarmuar për përshkallëzimin e rrezikut ndaj lundrimit civil në këtë zonë strategjike.



Read it all at Bota Sot